Bode: Kriza? I kemi marrë masat
Ministri i Financave, Ridvan Bode, theksoi dje se Shqipëria është një vend me stabilitet ekonomik e politik të konfirmuar. Gjatë prezantimit të projektit të KE-së, ministri tha se "ekonomia shqiptare është sot e aftë të plotësojë kriteret ekonomike, krijimin e një ekonomie tregu funksionale, rrjedhojë kjo e reformave strukturore të realizuara në fushën fiskale". Kreu i Financave tha se janë marrë të gjitha masat që kriza të mos prekë Shqipërinë, sikundër ka ndodhur në vende të ndryshme të botës. Në prani edhe të shefit të Delegacionit Evropian në Tiranë, ambasadorit Helmuth Lohan, Bode u shpreh se "ekonomia shqiptare është e shëndetshme dhe e aftë të reagojë ndaj mjedisit të jashtëm dhe impakteve që mund të sjellë kriza botërore". Duke folur për projektin, Bode sqaroi se ndryshon edhe sistemi i menaxhimit, nga i centralizuar në të decentralizuar, ku qeveria shqiptare merr përgjegjësitë për menaxhimin e asistencës së BE-së. Fondi 1.5 milionë euro, sipas ministrit, është rezultat i suksesit të reformave të ndërmarra nga qeveria.