E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllen 22 kompani kromi

Prej gati një muaji, 22 shoqëri private që zhvillojnë veprimtari kromnxjerrëse në galeri dhe stoqe kromi në Bulqizë, kanë ndërprerë plotësisht aktivitetin e tyre. Ndërprerja ka nisur që prej dhjetëditëshit të fundit të muajit shkurt të këtij viti, pas një urdhri të ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli. Në urdhëresën e mbërritur nga Tirana thuhej se të gjitha këta shoqëri private duhet të mbylleshin, pasi nuk u kishin qëndruar korrekte kushteve mbi bazën e të cilave kishin marrë licencat përkatëse. Por edhe pa dalë urdhri i ministrit Ruli, 18 shoqëri pothuajse e kishin ndërprerë punën, për shkak të uljes së çmimit të kromit në tregjet ndërkombëtare. Nga rreth 600 dollarë për tonë që ishte në vitin 2008, çmimi ra në 120 dollarë për këtë vit, si pasojë e krizës botërore të ekonomisë. Ndërkohë, ndërprerja e punës prej shoqërive private të kromnxjerrjes, ka lënë pa punë rreth 300 punëtorë, duke shkaktuar kështu një plagë të rëndë sociale për familjet e tyre. Drejtuesit e kompanive private ankohen se në kushtet e krizës ekonomike globale, ku çmimi i shitjes së kromit ka rënë ndjeshëm, ministria është treguar e padrejtë, dhe në vend që të subvenciononte për vazhdimin normal të aktivitetit, ka nxjerrë urdhër bllokimin, duke thelluar problemet sociale të qindra familjeve të minatorëve. Madje, drejtuesit e këtyre shoqërive private pretendojnë se urdhri për pezullimin e punës për ta është dhënë nga "METE", për të favorizuar shoqërinë private koncensionare, ACR, ruso-austriake, në mënyrë që të veprojë e vetme në zonën krommbajtëse të Bulqizës, që është më e madhja në vendin tonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›