E Diel, 1 Nëntor 2026

Larry Summers, "homo economicus"-i i Obamës

Obamës i pëlqen ta thumbojë shpesh Larry Summers, duke e quajtur "kokë helikë" ose "djali i shifrave". Kjo sepse njeriu që këshillon çdo ditë Presidentin amerikan për çështjet e ekonomisë së vendit dhe ato botërore, është i fiksuar pas punës, politikave shumë të koklavitura të shifrave dhe argumenteve që shumëkujt mund t‘i duken të mërzitshme dhe të pakuptueshme. Por Summers nuk duket se e vret shumë mendjen për nofkat që i janë vënë. Në fakt, ish-presidenti i Harvardit, i pret me buzëqeshje dhe me një dozë jo të vogël humori. Shkaku është se veç të tjerash, ai është shumë i lumtur që ndodhet në postin që ka, në një periudhë historike jo vetëm për vendin e tij, por për të gjithë botën. 54- vjeçari me një paraqitje të shkujdesur dhe tendencën për ta çuar deri në fund çdo debat apo argument, është personi që konsiderohet si "mendimtari" i Obamës. Ky i fundit, pavarësisht ndonjë shakaje, ushqen respekt dhe konsideratë të veçantë ndaj personit që shpesh e thërret edhe "Profesor Summers". Ai i beson shumë këshillës dhe mendjes së tij në lidhje me një numër të madh çështjesh, ndër të cilat buxheti, politikat energjetike, reforma shëndetësore, shkollimi apo tregtia ndërkombëtare. "Lerry koordinon të gjitha politikat ekonomike", thotë sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibbs. "Ai është njeriu kryesor që merret dhe pyetet e pse jo, edhe vendos për ekonominë në Shtëpinë e Bardhë. Një nga rolet më të rëndësishme të Summers është referimi i përditshëm që i bën Presidentit në lidhje me të gjitha çështjet ekonomike e financiare. Në këto takime merren edhe një sërë vendimesh të rëndësishme". Por shfaqjet dhe paraqitjet publike të Summers kanë marrë vlerësime të ndryshme. Këtë javë, atij iu bënë shumë kritika në lidhje me deklaratat për paketën e shpëtimit ndaj gjigantit amerikan të sigurimeve "American International Group" (AIG). Gjatë shfaqjeve televizive, Summers akuzoi AIG për shpenzimin e 165 milionë dollarëve për bonuse dhe shpërblime ndaj ekzekutivëve të lartë dhe të mesëm të institucionit, dhe kjo, pasi i gjendur në vështirësi, përfitoi nga taksapaguesit 180 miliardë dollarë. Nëse këto dollarë të qeverisë federale nuk do t‘i ishin dhënë, atëherë institucioni do të kishte falimentuar. Summers tha se administrata kishte bërë maksimumin e saj në një situatë të tillë, për të kufizuar shpërblimet. Inati i njerëzve ndaj veprimit të AIG u rrit shumë pas lajmit të marrjes së shpërblimeve dhe brenda 24 orëve të para, Obama u kërkoi ekspertëve të tij ligjorë që të gjenin një zgjidhje të mundshme ligjore për bllokimin e përfitimit të bonuseve nga ekzekutivë, pavarësisht se këta kishin për këtë kontrata që nuk mund të hidhen poshtë sa hap e mbyll sytë. Kohët e fundit, Summers është përpjekur që në deklaratat e tij të gjejë balancën mes problemeve të mprehta të vendit aktualisht dhe optimizmit që nuk i duhet të humbasë, në mënyrë që këto probleme të zgjidhen. Sipas tij, në një vend ku çdo muaj humben rreth 600 mijë vende pune, negativiteti nuk do të ndalë sa hap e mbyll sytë. Por sipas tij, paketat e shpëtimit të propozuara nga qeveria do ta çojnë vendin në ditë më të mira. Për këtë, dyshuesit dhe hezituesit nuk mungojnë. Kështu për shembull, sipas disa sondazheve, njerëzit janë shumë të shqetësuar për efektshmërinë e masave të ndërmarra nga qeveria, për drejtësinë e rrugës së zgjedhur prej saj. Ka shumë persona që mendojnë se qeveria nuk ka një vizion të qartë, por çdo ditë gjen një zgjidhje momentale për ta shtyrë edhe ca. Në Capitol Hill, ka nisur që të organizohet një opozitë e vërtetë ndaj mënyrës të të menduarit dhe të të vepruarit të dyshes Obama-Summers. Për shembull sipas disa republikanëve, administrata nuk po bën sa duhet në lidhje me asetet negative të bankave. Megjithatë, Summers është i bindur se është në rrugën e drejtë së bashku me sekretarin e Thesarit, Timothy Geithner, me të cilin është mik i vjetër. "Gjatë viteve të shkuara, jemi hasur me shumë lakmi dhe njëherazi me mungesë absolute frike nga ana e bankierëve dhe drejtuesve të fondeve private të investimeve. Jemi përballur me shpenzime të pajustifikueshme dhe mungesë të kursimeve. Shumë para të marra hua dhe aspak merak se deri sa do të zgjaste një situatë e tillë. Sot, megjithatë, problemi ynë është krejtësisht i ndryshëm. Ndodhemi në një kalim nga eksesi i lakmisë në eksesin e frikës. Në lidhje me këtë, më lejoni t‘ju përmend shprehjen e famshme të Presidentit Ruzvelt që, frika më e madhe që duhet të kemi është frika nga vetvetja", deklaroi Summers në një fjalim para disa prej eksponentëve të botës së financës. Plani aktual i propozuar nga Summers për shpëtimin e ekonomisë bazohet në tri kolona: mbështetjen e qeverisë për krijimin e vendeve të reja të punës dhe shtimin e të ardhurave, rritjen e fluksit të kredive dhe normalizimin e tregut të banesave. "Administrata e Obamës ka ndërmarrë një plan nga i cili pritet që Amerika, pas shumë vështirësish, të dalë më e begatë, më e fortë dhe më e mirëpërgatitur për të ardhmen", bëri të ditur Summers në të njëjtin fjalim. Ai mban postin e drejtorit të Këshillit Kombëtar Ekonomik, që nga nëntori i kaluar dhe ishte një nga personat e parë të përzgjedhur për administratën e re personalisht nga Obama. Një rol të madh luajti edhe CV-ja e tij e "artë", megjithëse edhe ajo nuk është pa pikat e saj të errëta. Gjatë periudhës kur ishte president i Harvardit, ai inatosi një pjesë të stafit të universitetit kur deklaronin se femrat nuk kanë prirje ndaj shkencave ekzakte dhe se kjo është diçka e lindur që ka të bëjë me trurin e tyre. Si pasojë e këtyre deklaratave, ai u dorëhoq në vitin 2006. Ndërsa gjatë periudhës kur ishte sekretar i Thesarit në periudhën e mandatit të dytë presidencial të Klintonit, ai promovoi teorinë që industria financiare duhet që të jetë në thelbin e saj e çrregullt, pra të mos i nënshtrohet rregullatorëve. Njëherazi ai u përpoq që t‘i linte bankat në veprimet e tyre sa më të lira e pa shumë mbikëqyrje. Kritikët e tij të sotëm thonë se kjo mënyrë konceptimi është një nga shkaqet e telasheve të mëdha ku është futur sot sistemi bankar dhe financiar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por ndërsa për të mund të kenë shumë vërejtje, askush nuk e vë në dyshim apo në pikëpyetje etikën e tij të punës. Ai çohet para agimit dhe kalon 14 orë në ditë duke punuar. Gjatë gjithë kohës mbi tryezë mban kanoçe me Diet Cola. Puna e tij i krijon kontakte të vazhdueshme me Presidentin, shefin e Thesarit dhe anëtarë të Kongresit. Është shumë i dhënë pas informacionit dhe nuk i shpëton asgjë, duke nisur që nga shënimet politike, deri te lajmet e lehta të revistave. Në detyrat e tij në të shkuarën, përfshi shefin e Thesarit, njihej mirë nga vartësit për ambicien e tij të përmasave të jashtëzakonshme, për padurimin me njerëzit që i konsideronte si intelektualisht inferiorë. Në pozicionin e ri, mundohet të jetë më diplomatik e gjakftohtë. Në pozicionin shumë të rëndësishëm dhe kyç që ka, është i bindur që do të ketë sukses, sepse këtë herë, edhe ambicia është e jashtëzakonshme, duke qenë se kriza vetë është e tillë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›