E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largimet nga puna, jo politikisht

Për vite të tëra, Komisioni Evropian ka akorduar fonde në disa milionë euro në mbështetje të reformimit dhe specializimit të punonjësve të administratës publike. Ky proces është ndërprerë disa herë nga largimet e punonjësve për qëllime politike, në periudhat e ndërrimit të pushteteve, duke mos dhënë rezultatin e duhur. Këtë shqetësim e ngriti dje ambasadori i KE-së, Helmut Lohan, gjatë prezantimit të projektit IPA për decentralizimin, ku Shqipërisë iu akorduan 1.5 milionë euro. I pranishëm ishte edhe ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili pranoi në heshtje qëndrimet e diplomatit të BE-së, por shtoi se qeveria e djathtë është treguar e kujdesshme me mirëmenaxhimin e fondeve të huaja. Një ditë më parë, kreu i Financave kërkoi më shumë mbështetje nga donatorët, kontributi i të cilëve po vjen gjithnjë e në rënie. Në këtë pikë, Komisioni Evropian e paralajmëroi qeverinë shqiptare se do të mbikëqyrë nga afër të gjitha lëvizjet në administratë, veçanërisht gjatë këtij viti elektoral.

Reforma

Gjatë dy viteve të fundit, Komisioni i Shërbimit Civil ka raportuar në Kuvend largimet e paligjshme nga puna të qindra punonjësve. Vetë KSHC i vlerëson largimet për qëllime politike, ku vetëm në vitin 2008 ishin mbi 500 punonjës. Në total administrata shtetërore ka rreth 107 mijë punonjës, ku një pjesë e konsiderueshme marrin trajnime dhe specializime nga fondet e Komisionit Evropian. "Të gjitha përpjekjet dhe fondet që ne po sigurojmë, mundet që shumë lehtë të shkojnë dëm nëse nuk do të këtë stabilitet në administratë; në qoftë se këta njerëz që janë në administratë dhe për të cilët ne dhe ju po investojmë sot, nuk do të jenë më në zyrën e tyre nesër. Stabiliteti i administratës publike është një pikë kyçe, do të jetë një çështje kyçe dhe do të monitorohet nga afër sidomos këtë vit", u shpreh ambasadori i KE-së, Lohan. Sipas tij, ky paralajmërim është i vlefshëm për të gjithë politikën. "Do të doja të inkurajoja të gjitha partitë në këtë projekt, ato që janë të përfshira dhe të interesuara në integrimin e Shqipërisë, që të bashkojnë përpjekjet dhe ta kthejnë çështjen e stabilitetit në administratë në një objektiv të tyre", theksoi Lohan.

Projekti

Projekti i prezantuar dje, prej 1 milion eurosh, i financuar nga Komisioni Evropian, synon të rrisë kapacitetet e administratës qendrore shqiptare për të menaxhuar fondet e BE-së, sidomos ato nën Instrumentin e Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA), i cili vetëm për periudhën 2008-2010 e kalon shumën prej 200 milionë eurosh. Menaxhimi i decentralizuar i fondeve IPA nxitet nga Komisioni Evropian për dy arsye kryesore. Së pari, si një tregues i pronësisë vendore të ndihmës; së dyti, menaxhimi i decentralizuar i fondeve IPA i lejon vendet përftuese të përgatiten për të mbajtur me sukses një nga përgjegjësitë kryesore të anëtarësimit, menaxhimin e të ashtuquajturve Fondet Strukturore që vendet anëtare të BE-së marrin për të integruar rajonet e tyre më të varfra dhe infrastrukturën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›