Situata politike, ndikim tek investimet e huaja
Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë financiarisht Shqipërinë, pavarësisht situatës komplekse të krizës financiare në botë. Për diplomacinë gjermane, është tepër i rëndësishëm faktori i një situate politike të moderuar, në mënyrë që investitorët e huaj të mos nguten për të financuar Shqipërinë në projekte të ndryshme. Bernd Borshhard, ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë, i pranishëm në inaugurimin e një banke në Tiranë, theksoi rëndësinë që kanë zgjedhjet dhe situata politike në vend në raport me investimet e huaja. Duke marrë shkas nga situata aktuale e krizës, Borshhard vlerësoi qëndrueshmërinë e aktivitetit privat në vend, duke përmendur faktin se Shqipëria nuk po preket nga efektet negative ekonomike, sikundër ka ndodhur në vende të ndryshme të botës. Gjatë fjalës, ambasadori garantoi mbështetjen e Gjermanisë për Shqipërinë, e cila nuk do të mungojë edhe në këto ditë të vështira që po kalon Evropa. Duke u ndalur te procesi i kartave të identitetit, Borshhard nxit përfundimin deri në qershor të procesit. "Përgatitja e zgjedhjeve përbën një sfidë shumë të madhe. Ne shpresojmë që deri në qershor që do të zhvillohen zgjedhjet, procesi i ndarjes së kartave të identitetit do të funksionojë siç duhet", tha diplomati gjerman. Sipas tij, në rast se nuk përfundon procesi brenda afatit, efektet nuk do të ishin pozitive, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Gjermaninë si anëtare e NATO-s. Duke folur për aplikimin si vend kandidat drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ambasadori gjerman mbështeti qëndrimet e komisionerit Evropian për Zgjerimin, Olli Rehn. Sipas tij, "Shqipëria nuk duhet të aplikojë si vend kandidat në Bashkimin Evropian përpara zgjedhjeve të 28 qershori". Ky qëndrim u shtohet zërave të tjerë diplomatë, të cilët i sugjerojnë qeverisë "Berisha" shtyrjen e aplikimit pas zgjedhjeve, në një kohë që Kryeministri shqiptar dhe ministri i Jashtëm kërkojnë të kundërtën.
Gjermania është donatori më i madh për Shqipërinë. Që nga viti 1988 janë dhënë rreth 800 milionë euro në mbështetje të sektorëve të ndryshëm, kryesisht në bujqësi dhe energjetikë. Sipas Borshhard, nga të gjitha vendet ku Gjermania ka dhënë fonde, Shqipëria zë vendin e parë në raport me numrin e popullsisë.
Gjermania është donatori më i madh për Shqipërinë. Që nga viti 1988 janë dhënë rreth 800 milionë euro në mbështetje të sektorëve të ndryshëm, kryesisht në bujqësi dhe energjetikë. Sipas Borshhard, nga të gjitha vendet ku Gjermania ka dhënë fonde, Shqipëria zë vendin e parë në raport me numrin e popullsisë.