E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhen tri opsionet e zhvillimit të protestave opozitare në vend

PS, beteja finale me kryeministrin Sali Berisha nis gjatë muajit prillPartia Socialiste është gjendur në një periudhë 6-mujore përpjekjesh të shumta për t’i dhënë zgjidhje krizës politike duke hetuar zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, por kutitë

Partia Socialiste është gjendur në një periudhë 6-mujore përpjekjesh të shumta për t’i dhënë zgjidhje krizës politike duke hetuar zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, por kutitë ishin dhe mbeten molla e sherrit mes saj dhe maxhorancës. Në këtë kuadër, tashmë opozita do të nisë betejën finale me kryeministrin Sali Berisha, rrugën e protestave. Në mbledhjen e kaluar të Grupit Parlamentar të PS-së është bërë e ditur se protestat do të nisin gjatë muajit prill. Pavarësisht se nuk ka një projekt të shkruar për këtë vendimmarrje, mësohet se marrëdhëniet mes Grupit socialist dhe institucionit të Kuvendit do të kenë një raport të kushtëzuar; çka do të thotë se nuk përjashtohet vijimi i bojkotit të këtij institucioni, por duke lënë të hapur mundësinë e pjesëmarrjes në seanca të veçanta të Kuvendit, ku mund të diskutohen nisma të rëndësishme që kanë të bëjnë kryesisht me integrimin e vendit. Opozita do të organizojë një valë protestash, të cilat nuk do të ndalen derisa të vihet në vend e drejta për transparencë, duke vënë theksin te hapja e kutive, si një kusht i panegociueshëm.
Protestat
Selia rozë është në kulmin e punës për organizimin e protestave për të larguar qeverinë “Berisha”. Në Partinë Socialiste po dallohen dy rryma për mënyrën e organizimit të protestave. Grupi i parë është ai që mendon se duhet të nisin protestat në çdo qytet dhe zonë urbane, ku në krye të jenë deputetët e qarkut. Ideja tjetër është ajo e organizimit të një proteste masive në kryeqytet dhe të mos largohet andej pa pasur një reagim nga qeveria. Mundësia më e madhe është që socialistët të grumbullojnë protestues në çdo qytet dhe më pas të mblidhen para selisë së qeverisë dhe të rrinë aty për ditë me radhë. Megjithatë, në mbledhjen e ardhshme të kësaj jave, Grupi socialist do bëjë të ditur gjithçka lidhur me protestat dhe marrëdhëniet me institucionin e Kuvendit. Ndryshe nga protestat e kaluara, ato që u mbyllën para Vitit të Ri, këto protesta do të zhvillohen në çdo lagje, komunë dhe bashki, duke synuar sensibilizimin e popullit për këtë padrejtësi që i bëhet opozitës. Drejtuesit socialistë të degëve janë shprehur në mbështetje të plotë të kauzës së transparencës së PS-së dhe kanë shprehur angazhim për realizimin e protestave.
LMN
Deputetët e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në selinë rozë kanë qenë kundër bojkotit të Kuvendit, duke e cilësuar si veprimin më absurd në një vend demokratik.
Deputeti i LMN-së, Marko Bello, në një prononcim për gazetën “Albania” dy ditë më parë u shpreh se bojkoti i opozitës në një vend demokratik është tejet absurd. Sipas tij, një parti me 65 deputetë, nëse vazhdon të bojkotojë, i bie të shkrihet si parti. Bello theksoi se pushteti nuk rrëzohet me protesta, por rrëzohet në Parlament.

Opsionet

Zhvillimi i protestave në çdo qytet dhe zonë urbane, ku në krye të jenë deputetët e qarkut.

Organizimi i një proteste masive në kryeqytet derisa të ketë një reagim nga qeveria.

Socialistët do të grumbullojnë protestues në çdo qytet, më pas do të mblidhen para selisë së qeverisë dhe do të rrinë aty për ditë me radhë.

24 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›