E Hënë, 2 Nëntor 2026

Xhaçka: “Qytetarët shqiptarë tu bashkohen protestave kundër qeverisë ‘Berisha’”



Deputetja Olta Xhaçka, në emër të Partisë Socialiste, u ka bërë apel qytetarëve shqiptarë që të bashkohen në një valë të pandalshme protestash kundër kësaj qeverie. “Sali Berisha na flet për mirëqenie e për politika sociale, por sot shqiptarëve u duhet të përballen me një rritje të çmimit të energjisë që i merr çdo familjeje mesatare shqiptare 30 për qind të të ardhurave të tyre të pakta. Prandaj sot është koha që t'i bashkoheni protestës sonë kundër kësaj qeverie. Sali Berisha flet për rritje ekonomike, por sot shqiptarët konsumojnë 18 për qind më pak ushqime si pasojë e rritjes së papërballueshme të çmimit të zarzavateve, frutave e të gjitha produkteve të tjera ushqimore. Prandaj sot është koha për t'iu bashkuar protestës sonë”, - u shpreh Xhaçka, duke shtuar se “Sali Berisha flet për ndihmën ndaj biznesit shqiptar, por sot bizneseve, të mëdha e të vogla, po u merret fryma nga politikat e mbrapshta ekonomike e tatimore të qeverisë ‘Berisha’. Prandaj sot është koha për t'iu bashkuar protestës sonë. Sali Berisha flet për rritje rrogash dhe ka të drejtë, sepse ai dhe familja e tij biologjike e politike po përjetojnë sot një rritje të ardhurash marramendëse në një kohë që anembanë vendit janë me qindra e me mijëra familjet shqiptare që u shtohen radhëve të të varfërve e të papunëve”. Sipas deputetes socialiste, të gjitha këto mashtrime dhe e gjithë kjo paaftësi e papërgjegjshmëri, pasojat e të cilës i vuajmë ne sot, vijnë si pasojë e deformimit të vullnetit të shqiptarëve më 28 qershor. Ajo tha se një qeveri që nuk varet nga votat e qytetarëve për pushtetin e saj, nuk ka se si t'u përgjigjet nevojave, interesave, shqetësimeve dhe aspiratave të tyre. Prandaj sot më shumë se kurrë është koha për të protestuar kundër kësaj qeverie.

24 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›