E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bushati: “Një komision hetimor për hapjen e kutive, dhe jo 100 prokurorë



Partia Socialiste i bën thirrje maxhorancës se nuk janë të nevojshëm 100 prokurorë për të hetuar zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, por duhet të ngrihet një komision hetimor ku të lejohet hapja e kutive. Deputeti socialist Ditmir Bushati deklaroi dje se duhet një maxhorancë që të zbatojë Kushtetutën dhe mos të pengojë transparencën. Ai theksoi se transparenca e kutive dhe kontrolli i zbatimit të ligjeve është detyra kushtetuese e ligjvënësit. Sipas tij, vetëm një maxhorancë që i trembet të vërtetës që fshihet në kutitë e votimit të 28 qershorit mund të veprojë siç bëri të premten maxhoranca e Sali Berishës, duke vendosur me diktatin e kartonëve dhe muskujve për një komision, i cili mund të bëjë shumëçka, por vetëm transparencë jo. Komisioni i kërkuar nga opozita dhe i miratuar nga maxhoranca ka në përbërje të tij 15 deputetë, të gjithë anëtarë të Komisionit të Ligjeve. Ndërkohë që Partia Socialiste ka deklaruar mosnjohjen e tij, maxhoranca do të përfaqësohet nga Rusmali, Gumi, Halimi, Trashani, Paloka, Naço dhe Alibeaj.
Deklarata
Sipas socialistit Bushati, kryeministrit Berisha nuk i intereson dialogu politik dhe zhvillimi i seancës të premten e kaluar tregoi nivelin e ulët të demokracisë së këtij pushteti. “Duke i mohuar në mënyrë arrogante opozitës, e për më tepër në shkelje të plotë të ligjit, të drejtën e saj kushtetuese për të hetuar mbi zgjedhjet e 28 qershorit, Sali Berisha jo që nuk e zgjidhi krizën, por vetëm sa kontribuoi në thellimin e saj”, - u shpreh Bushati, duke shtuar se “ajo që përjetuam në Kuvend të premten ishte prova më e qartë se Sali Berisha nuk e do dialogun e konsensusin, duke dëshmuar nivelin mjeran të kulturës demokratike të kësaj maxhorance.
Komisioni hetimor
Përsa i përket komisionit hetimor të miratuar vetëm me votat e maxhorancës, deputeti Bushati u shpreh se një komision hetimor i ngritur me objekt dhe mjete hetimi të imponuara dhe të pranuara vetëm nga njëra palë, e cila për më tepër është dhe pala e akuzuar, është i papranueshëm dhe si i tillë, nuk mund të njihet nga opozita shqiptare. “Këtë të vërtetë të hidhur nuk e thotë tanimë vetëm Partia Socialiste, por edhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Këta partnerë thanë shkoqur se komisioni hetimor i ngritur nga maxhoranca është një hap i padobishëm që e thellon me tej krizën dhe nuk e zgjidhi atë”, - tha Bushati.
Dy ditët e debatit parlamentar për gjetjen e një zgjidhjeje mbi krizën politike në vend u mbyllën dhe me një ndarje akoma më të madhe mes pozitës dhe opozitës. Ndërsa kaluan të gjitha limitet kohore për arritjen e një marrëveshjeje, socialistët tërhoqën dy nismat ligjore, ndërsa maxhoranca votoi me 73 vota komisionin parlamentar hetimor. Por, nga ana tjetër, kreu i selisë rozë e ka cilësuar një farsë ngritjen e këtij komisioni hetimor, duke mohuar ekzistencën e tij.

24 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›