A jane plotësuar standardet teknike nga ana e Shqipërisë?
Drejtuesi për Europën Juglindore në Parlamentin Europian, Eduard Kukan, dhe një grup europarlamentarësh qëndrojnë në Shqipëri. Në fokus, përmbushja e kushteve për procesin e liberalizmit të vizave.
Nga ekspertët, kjo vizitë e europarlamentarëve shikohet si një konfirmim për plotësimin e standardeve teknike nga ana e Shqipërisë. Krizën aktuale politike ata e shikojnë pa ndikim të drejtpërdrejtë në këtë proces. Por, nëse ajo do të vazhdojë, atëherë ajo pritet të shoqërohet me zvarritje të procesit të anëtarësimit me të drejta të plota të vendit në BE. Në kontaktet me autoritetet zyrtare dhe përfaqësues të opozitës europarlamentarët janë të përqendruar më shumë te plotësimi i kritereve teknike për liberalizmin e vizave për qytetarët shqiptarë për në hapësirën “Shengen” të BE-së. Delegacioni i Parlamentit Europian ka vizituar dhe qendrën e përgatitjes së dokumenteve të identifikimit në Tiranë, si dhe sallën operacionale për monitorimin e kufijve e doganave në Drejtorinë e Policisë së Shtetit. Duke mos dashur të bëjnë komente paraprake për median, europarlamentarët pritet që vlerësimet e tyre t’i bashkëngjisin me ato të dy ekipeve monitoruese që Komisioni Europian ka dërguar më herët në Tiranë.
Alia: “Liberalizmi i vizave duhet ndarë nga procesi i integrimit të vendit në BE”.
Ilir Alia, drejtor Ekzekutiv i Qendrës për Zhvillim dhe Demokratizim të Institucioneve, e konsideron ndalesën në Tiranë të parlamentarëve europianë si një konfirmim për finalizimin e procesit të liberalizmit të vizave brenda muajit korrik të këtij viti. Ai thotë për Dojçe Velen se liberalizmi i vizave duhet ndarë nga procesi i integrimit të vendit në BE. Liberalizmi është proces tërësisht teknik dhe varet nga qeveria. Kurse procesi i integrimit europian ka në thelb dhe elemente politike. Delegacioni i Parlamentit Europian është në Shqipëri në një moment kur për të ka pasur vlerësime domethënëse. “Nëse në maj të vitit 2009 kishim një Shqipëri me 16 ‘semaforë të kuq’, pra mospërmbushje të kritereve teknike, në nëntor të vitit 2009 vendi kishte 20 ‘semaforë’ të verdhë, të cilët ishin afër jeshiles, që nënkupton zbatim të kritereve. Dhe nuk kishte asnjë ‘semafor’ të kuq”.
Sipas Ilir Aliajt, ky është tregues i qartë se kriteret teknike të liberalizmit të vizave janë realizuar në pjesën më të madhe ose janë në realizim për ato që kanë mbetur. Afati, sipas tij, do të kapet brenda mesit të muajit tjetër, kur çështja do të fillojë të diskutohet zyrtarisht nga Brukseli për dy vendet e rajonit, Shqipërinë dhe Bosnjën.
Gjipali: “Vlerësimi nuk do të jetë vetëm teknik, por edhe politik”. Por, Gledis Gjipali, nga Lëvizja Europiane në Shqipëri, EMA, mendon se procesi i liberalizmit të vizave nuk do të shikohet vetëm në planin teknik. Në radhë të parë do të jenë rreth 42 standarde që përbëjnë udhërrëfyesin për liberalizmin, thotë Gjipali për Dojçe Velen. “Variojnë nga miratimi i legjislacionit dhe zbatimi i tij; te masat konkrete për sigurimin e kufijve, sidomos në ato pika që kanë qenë më problematike; te respektimi i të drejtave të njeriut; duke ecur më tej tek elementet teknike të dokumenteve të identifikimit, siguria e dokumenteve të tjera mbështetëse; si dhe masa të tjera”. Vendimmarrja, sipas Gjipalit, do të jetë e përbashkët: e Parlamentit Europian dhe e Këshillit Europian. Në një kohë që për institucionin e parë vlerësimi do të jetë tërësisht teknik, tek i dyti mund të ketë dhe qëndrime ose vlerësime politike. “Ku ka shtete anëtare, të cilat i shohin më me kujdes problemet politike që aktualisht po kalon Shqipëria dhe në një farë mënyrë mund të ndikojnë në këtë proces”, - thotë Gledis Gjipali.
Ilir Alia, nga Qendra për Zhvillim dhe Demokratizim të Institucioneve, mendon se përmbushja e kritereve politike ka rëndësi të madhe për procesin e integrimit të plotë të Shqipërisë në BE. Kjo u është bërë e qartë autoriteteve dhe klasës politike shqiptare, thotë ai. “Na kërkohet stabilitet politik; në të kundërt, reformat mbesin në vend. Për shembull, një nga reformat e domosdoshme, madje do të thosha emergjente, është krijimi i Gjykatës Administrative. Por ajo nuk votohet në Parlament sepse kërkon 84 vota, domethënë dhe ato të opozitës. Atëherë ky proces shikohet nga Brukseli si një ngecje në vend. Po kështu ka dhe hapa të tjerë të nevojshëm që nuk ndërmerren në një situatë krize politike”, - thotë Ilir Alia.
Për plotësimin e kushteve të natyrës politike, Gledis Gjipali nga EMA i referohet dhe Pyetësorit që Komisioni Europian u ka dorëzuar autoriteteve shqiptare. “Në morinë e madhe të pyetjeve që ka ky pyetësor, që do të marrin përgjigje nga qeveria, kriteri politik zë një vend të veçantë. Aty përfshihen nga dialogu politik deri te zgjedhjet parlamentare, sistemi gjyqësor dhe një sërë procesesh të tjera shumë të rëndësishme”.
“Nëse kriza politike vazhdon, atëherë këto pyetje mbeten pa përgjigje dhe kjo është një kosto për procesin e integrimit”, - thotë Gjipali. Ai shton se në mënyrë të pashmangshme, acarimi i situatës politike brenda vendit do të shtyjë në kohë vendimmarrjen e Brukselit për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, duke zvarritur reformat aq të domosdoshme për zhvillimin dhe përparimin e saj.
Autor: Arben Muka
24 Mars 2010