Zgjedhjet, Bumçi: “Prokuroria hetimore ka të drejtë të hyjë në themel të çdo çështjeje”
Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, deklaroi për një media se Parlamenti do të ofrojë gjithë mbështetjen e nevojshme në hetimin e zgjedhjeve. Ai tha se Prokuroria, si organ hetimor, ka të drejtë të hyjë në themel të çdo çështjeje. “Ne po i japim 100 prokurorë organit të akuzës që të hetojë të gjitha çështjet që lidhen me zgjedhjet. Përveç akuzave që mund të bëjnë palët, Prokuroria mund të hetojë edhe kryesisht. Kjo ekziston për çështje ordinere dhe për çdo çështje që Prokuroria mendon se ka një element për të hetuar. Atëherë, këtu i gjithë Parlamenti, shumicë dhe pakicë, i jep një mbështetje organit të Prokurorisë duke përkrahur me mjete financiare dhe me çdo mjet tjetër të nevojshëm që një numër i konsiderueshëm prokurorësh, rreth 100, t’i dedikohen hetimit të zgjedhjeve dhe të hetojnë zgjedhjet në detaje në të gjitha zonat”, - tha Bumçi. Sipas tij, grupi i prokurorëve nuk pengon punën e komisionit hetimor parlamentar. Bumçi sqaroi se çështja e 100 prokurorëve është një zgjidhje alternative që nuk e pengon komisionin hetimor. “Nëse komisioni hetimor merret me çështjen, a i është bërë presion administratës, nëse komisioni hetimor merret me financimin e partive politike, merret me përdorimin e media, të gjitha këto janë çështje që i heton komisioni hetimor, jo Prokuroria”, - tha Bumçi.
24 Mars 2010