E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Në katër vite qeveria i dha zhvillim bujqësisë

Ministri i Financave Ridvan Bode, ka akuzuar spektrin e majtë politikë, për frikën e ballafaqimit me dy qeverisjet. Gjatë vizitës së zhvilluar në komunat e Devollit, kreu i financave deklaroi se investimet e qeverisë së tij janë 5 deri në 7 herë më të larta se ato të periudhës së socialistëve. Duke u ndalur tek alternativa që ofron opozita e sotme, Bode u tha banorëve të fshatit Zvezdë në komunën e Pojanit, se filozofia e kryetarit aktual të Partisë Socialiste është ajo e mosballafaqimit me të shkuarën. Gjatë akuzave ndaj kreut Rama, ai është ndalur edhe tek roli i tij si kryetar bashkie. Edi Rama që mohon 18 vitet e Shqipërisë, nuk e ka sepse mohon përfitimet e tij nga të qenit prej 7 vitesh kryetar i Bashkisë, por kërkon një tymnajë të re, një këngë të re në avazin e dështimeve 8 vjeçare socialiste, theksoi Bode. Në kuadër të turit Shqipëria po Ndryshon ministri i Financave u ndal në disa komuna të qarkut të Korçës. Problemet e bujqësisë dhe investimeve në fshat ishin në fokus të bisedës së tij me banorë të komunës Hoçisht. Gjatë fjalës së tij veçoi faktin se në katër vitet e qeverisjes së saj, maxhoranca e djathtë i dha një impuls të ri zhvillimit bujqësor, sajë luftës kundër monopoleve të ngritura në 8 vitet e qeverisjes socialiste. Në këto takime ministri i Financave ripërsëriti qëndrimin e maxhorancës për të vijuar mbështetjen ndaj fshatit përmes rritjes së rrogave dhe pensioneve por edhe subvencioneve për bujqësinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›