E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Rama politikan bosh

Kryeparlamentarja Topalli vazhdon akuzat e saj ndaj kreut të selisë rozë, Edi Rama duke e cilësuar këtë të fundit si njeri pa ide e gënjeshtar. Unë nuk kam parë në këto 17 vjet asnjë nga kundërshtarët e mi politikë që të jetë më poshtë se kryetari i Bashkisë së Tiranës. Unë nuk kam parë një kundërshtar politik që të jetë pa substancë, si kryetari i Bashkisë së Tiranës, që të jetë pa ide, pa koncept, tamam si ato enët boshe, enë që bëjnë vetëm zhurmë. Ju e dini nga fizika, vetëm enët boshe bëjnë zhurmë, ashtu edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës e vetmja gjë që di të bëjë është të shpifë dhe të gënjejë, tamam si një gënjeshtar serial katër vjet rresht, katër vjet rresht përmes zëvendësve të tij brenda, apo jashtë Parlamentit, ka theksuar ajo. Gjatë ditës së djeshme kryetarja e kuvendit, Jozefina Topalli nën moton NATO ne ia dolëm ka vijuar turin e saj në rrethe duke u ndalur në fshatin Gruemirë e Hot, të qytetit të Shkodrës, ku ndër të tjera ka deklaruar se asnjë qeveri nuk ka shënuar asnjëherë një rritje ekonomike siç ajo që ka arritur maxhoranca në këto katër vjet qeverisje. Po ashtu Topalli ishte e pranishme edhe në ceremoninë e përvjetorit të ngritjes së flamurit në Deçiq, në 6 Prill të 1911, nga patrioti Ded Gjon Luli. Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast Topalli theksoi rëndësinë e kësaj dite, arritjet e mëdha të qeverisë, të cilat u finalizuan me anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën Veriatlantike. Topalli bëri thirrje që më 28 qershor shqiptarët të zgjedhin rrugën e ndryshimeve të Shqipërisë, të zgjedhin rrugën e projekteve të mëdha të zhvillimit. Anëtarësimi në NATO është së pari dhe kryesisht për shkak të reformave që kryeministri Berisha, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ka realizuar gjatë kësaj periudhe. Ndaj edhe unë shfrytëzoj këtë rast për të ftuar, secilin prej jush. 28 qershori është një ditë e veçantë, 28 qershori është dita kur secili prej jush do të jetë më i pushtetshëm se kushdo tjetër, u shpreh ajo gjatë fjalës së saj. Sipas saj, në 28 qershor është në dorën e çdo qytetari, që vetëm duke shkuar për të votuar, të zgjedhë rrugën e ndryshimeve të Shqipërisë, të zgjedhë rrugën e projekteve të mëdha të zhvillimit. Duke vazhduar më tej, kryetarja e kuvendit theksoi arritjet e mëdha të qeverisë duke filluar nga ulja e taksave, rritja e pagave e pensioneve, rritja e investimeve të cilat siç theksoi ajo, kanë qenë arritjet më të mëdha gjatë mandatit 4- vjeçar të qeverisë Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›