E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, shoqata e jetimëve, apel qeverisë për statusin

Është zhvilluar dje konferenca e 4 e Shoqatës së Jetimëve dega Berat. Në këtë takim ka marrë pjesë kryetari i shoqatës së kësaj dege, Dhimitër Dushi, i deleguari nga kryesia e përgjithshme të shoqatës së jetimeve rrethit të Tiranës, Selam Lika si dhe anëtarë të shoqatës. Gjatë konferencës është zgjedhur kryesia e re e përbërë nga 5 anëtarë si dhe është rizgjedhur sërish kryetar i shoqatës, Dhimitër Dushi. Ky i fundit gjatë fjalës së tij ka parashtruar kërkesat e 400 jetimëve të rrethit të Beratit, të cilët nuk kanë hapësira sigurie për punësim, arsim, strehim dhe fusha të tjera aktive për të përballuar jetën. Dushi ka pohuar se jo vetëm nga bashkia, por as nga qeveria ska plane të detajuara për këtë kategori. Shteti duhet të zhdukë nocionin jetim me hapa dhe politika nxitëse, ku e para është një përkrahje sociale për këta jetimë, ka thënë kryetari i shoqatës së jetimëve, duke u bërë thirrje pushtetit lokal e qendror, partive politike, OJQ- ve etj., për ndihmë sepse po rrezikohen jetë njerëzish. Sipas Dushit, kërkesat synojnë zbatim strikt të statutit të jetimëve nga pushteti qendror, pension asistencë, nënshkrim të kontratave me bashkinë për strehim të jetimëve, projektim dhe menaxhim të biznesit të vogël për të ndihmuar jetimët, lidhje dhe bashkëpunim me shoqatat humanitare brenda dhe jashtë vendit, ngritje të kurseve profesionale etj. Sipas Dushit, bëhet e ditur se shoqata Vakëf Islamik ka qenë një nga mbështetësit kryesorë të jetimëve ku për pjesën më të madhe ka lidhur ndihmë ekonomike 25 dollarë në muaj. Ndërkaq, 5 fëmijët jetimë që banojnë në komunën Levan të Fierit janë gëzuar dje me një paketë ndihmash materiale nga Fondacioni "Fëmijët shqiptarë", i drejtuar nga zonja Liri Berisha, ka qenë iniciatorja e këtij dhurimi për jetimët Rucaj, të cilët kanë humbur të dy prindërit pak vite më parë. Ndihmat iu dhuruan jetimëve nga përfaqësuesja e këtij fondacioni në qarkun e Fierit, Basilica Hysi. Në paketën e ndihmave që u dorëzuan për 5 jetimët nga fondacioni "fëmijët shqiptarë", përfshiheshin krevatë, dyshekë, shtresa, pajisje kuzhine, ushqime etj. Hysi u përcolli atyre mbështetjen dhe kujdesin e vazhdueshëm të znj. Berisha dhe i siguroi se kjo nuk është as e para dhe as e fundit ndihmë. Sipas Hysit, zonja Berisha ka ndjekur shkallën e përparimit në mësime të 5 fëmijëve jetimë, duke premtuar arsimimin e lartë të tyre. Ndërkohë edhe prefekti i qarkut, Shahin Bejdaj, premtoi se 5 fëmijët jetimë do të mbështeten  nga strukturat e pushtetit dhe rrjeti i biznesit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›