Bode: Në qershor rishikohet buxheti

Ministri i Financave, Ridvan Bode / Foto arkiv
Ministria e Financave ka zyrtarizuar lajmin për rishikimin e buxhetit të vitit 2012-të gjatë muajit qershor. Në një njoftim për shtyp, thuhet se parashikohet një shkurtim prej 20 miliardë lekë, që përbën një ulje prej 5.61% të shpenzimeve totale buxhetore.
“Do të rishikojmë zhvillimet e 6-mujorit të parë dhe prespektivën për 6-mujorin e dytë në një kontekst konkret faktik. Do të vijojmë të rishikojmë kuadrin tonë makroekonomik, objektivat për vitin 2012 në përputhje me zhvillimet globale rajonale dhe për më tepër edhe zhvillimet konkrete në ekonominë shqiptare”, është shprehur ministri i Financave, Ridvan Bode.
Ministri ka nënvizuar se vitit 2012-të është një vit i vështirë për Shqipërinë. Arsye kryesore e rishikimit të buxhetit është aktiviteti ekonomik edhe pse ministri tha se rishikimi vjen për shkak të ndikimit të krizës së eurozonës dhe vendet përreth. “Zhvillimet në ekonomitë e Greqisë, Italisë, por edhe më gjerë sigurisht nuk do të kalojnë pa lënë gjurmë edhe në ekonomitë e rajonit, dhe atë tonën”, tha Bode. /F.S/