E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodër, sekustrohen pasuri me vlerë 700 mijë euro

Sekuestrim pasurie të regjistruar në emër të të afërmve por që dyshohet se ka si origjinë aktivitetin e jashtëligjshëm jashtë vendit. Kjo ka qenë masa e vendosur nga Gjykata dhe e ekzekutuar nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër në bashkëpunim me Drejtorinë kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit, si dhe me Njësinë e Përbashkët Hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësorë Shkodër, për sekuestron preventive të pasurive të paluajtshme me vlerë rreth 700 mijë euro të shtetasit Altin Qemal Ndërlita dhe familjarëve të tij.

Për këtë është bërë sekuestrimi i 14 pasurive të paluajtshme, nga të cilat 13 apartamente banimi dhe një garazh me sipërfaqe  900 m2,  pronë e shtetasve Altin Ndërlita dhe familjarëve të tij, Pashke Podgorica (nëna) dhe Roza Serreqi (tezja).

Në total vlera e aseteve të sekuestruara është rreth 700 mijë euro. Sekuestrimi i këtyre aseteve u bë i mundur nga një hetim intensiv, dhe i plotë, si dhe në sajë të një analize të hollësishme financiare të strukturave të luftës kundër krimit financiar në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore Task-Forcë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Kjo pasi në ngarkim të  shtetasit Altin Ndërlita , në vitin 2011 ishte regjistruar një procedimi penal për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale parashikuar nga neni 287 i kodit penal. Ky shtetas ishte arrestuar në Gjermani për veprën penale të shkeljes të ligjit mbi lëndët narkotike, në vitin 2009. Gjatë hetimit të këtij procedimi penal ka rezultuar se këto pasuri dyshohet se janë blerë me të ardhura me origjine kriminale të trafikut të narkotikëve, ku i përfshirë ishte shtetasi Altin Ndërlita. Pasuritë e blera ishin regjistruar në emër të familjarëve të tij. Një pjesë e parave janë qarkulluar jashtë sistemit bankar duke u deklaruar si të ardhura nga emigracioni dhe familjarët janë munduar ti justifikojnë si para të ligjshme dhe ti investojnë në apartamente.

Bazuar në materialet e grumbulluara në kuadër të këtij procedimi penal nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe të Prokurorisë, nga Gjykata e rrethit Gjyqësor Shkodër është vendosur masa e sekuestros për pronat e këtij shtetasi dhe familjarëve të tij. Nga Strukturat e Pastrimit Parave në Drejtorinë kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër vazhdon puna dhe po kryhen hetime intensive për identifikimin e pasurive të tjera të këtij shtetasi dhe për personat të tjerë të implikuar në këtë procedim, po ashtu dhe për identifikimin e pasurive, me qëllim vendosjen e sekuestros në kuadër të këtij procedimi penal. /A.Dushi/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›