Gjermania vendi më i admiruar, grekët më negativët

Eurozona, foto arkiv
Evropianët e shohin Gjermaninë dhe kancelaren e saj, Angela Merkel, me sy më të mirë se çdo vend apo udhëheqës tjetër në Bashkimin Evropian, këto janë rezultatet e një sondazhi të Pew Research Center.
Gjermania është vendi më i admiruar në BE dhe kancelarja e saj është udhëheqësja më e respektuar, thuhet në raport.
Sondazhi është realizuar në tetë vende të Bashkimit Evropian (Britani, Francë, Gjermani, Itali, Spanjë, Greqi, Poloni dhe Republikë Çeke) dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku janë anketuar 9.108 njerëz gjatë periudhës kohore ndërmjet 17 marsit dhe 16 prillit.
Gjermanët veçohen, pasi ata i konsiderojnë përvojat e tyre ekonomike më pozitivisht sesa të tjerët dhe janë më të favorshëm për Europën.
Gjermania është i vetmi vend, në të cilin shumica e njerëzve, 59 për qind, mendojnë se vendi i tyre është ndihmuar nga integrimi evropian. Më negativët janë grekët, ku 70 për qind mendojnë se integrimi në BE i ka dëmtuar, të ndjekur nga francezët, me 63 për qind.
Mendimi i grekëve për veten dhe për Gjermaninë dallon shumë nga mendimet që kanë fqinjët evropianë, të cilët i konsiderojnë gjermanët si popullin më punëtor.
Britanikët, francezët dhe gjermanët nuk mendojnë se vendet e tyre kanë shkallë të larta të korrupsionit, ndërsa e vlerësojnë Italinë si vendin më të korruptuar.
Britanikët, francezët dhe gjermanët i vlerësojnë grekët, italianët dhe spanjollët si më dembelët në Evropë, dhe ndër më të korruptuarit. Ndërkaq, italianët dhe spanjollët e kanë të njëjtin mendim negativ për veten dhe për fqinjët e tyre jugorë, theksohet në raport. /Der Spiegel/
Përgatiti: Eljona Lata