E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, luhaten çmimet e banesave dhe qirave

Burime nga tregu i pasurive të paluajtshme bëjnë në ditur se një pjesë e kompanive tregtare që kanë marrë ambiente me qira nëpër qendrat e ndryshme tregtare të vendit, kanë filluar të rinegociojnë kontratat e qerasë, si pasojë e vështirësive ekonomike në të gjithë botën. Për pasojë, qiratë e ambienteve në qendra tregtare pritet të kenë një tendencë rënieje gjatë muajve në vijim, megjithëse, sipas ekspertëve, rënia nuk pritet të jetë dramatike. Një ndër faktorët kryesorë që ka ndikuar në rënien e çmimeve lidhet me reduktimin e të ardhurave nga emigrantët, që për janar-shtator 2008 llogaritet të kenë sjellë rreth 550 milionë euro, në një kohë që në 2007-ën të ardhurat ishin edhe më të mëdha. Sipas agjencive ndërkombëtare të tregut të pasurive të paluajtshme, qiraja mujore e një metri katror te qendrat tregtare varion nga 7-45 euro, te rrugët kryesore si Ish-Blloku apo "Myslym Shyri" arrin deri në 67 euro, kurse në rrugë dytësore brenda qytetit qiraja mujore për metër katror varion nga 8 deri në 42 euro. Në periudhën afatshkurtër, tregu i pasurive të paluajtshme do të zgjerohet akoma e më shumë. Parashikimet tregojnë se tregu do të zgjerohet me rreth 100 mijë metra katrorë më shumë në pesë vitet e ardhshme.

Tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri po tërheq gjithnjë e më shumë interesin e të huajve, fakt që lidhet më së shumti me pozicionin gjeografik, bukuritë natyrore dhe më së shumti me çmimet. Vetë Banka e Shqipërisë, në raportin e saj të fundit konfirmoi edhe një herë faktin se çmimet në tregun e pasurive të paluajtshme kanë pësuar një rënie të ritmit rritës me 0.9 për qind, krahasuar me vitin e kaluar. Pra vërehet një ngadalësim i rritjes së çmimeve, ndërsa në disa zona të Tiranës vërehet një rënie e çmimit për metër katror për sa u takon ambienteve të banimit. Të dhënat më të fundit nga Shoqata e Ndërtuesve flasin për një rënie ekonomike të sipërmarrësve në tregun e pasurive të paluajtshme. Mësohet se gjatë vitit 2008 rreth 800 biznese ndërtimi nuk kanë kryer asnjë aktivitet, ndërsa mbetën pa u shitur rreth 4 mijë apartamente, fakt që tregon rënien e fuqisë blerëse nga ana e konsumatorit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›