E Diel, 1 Nëntor 2026

Bode: PS kërkon të fuqizojë bizneset pranë Edi Ramës

23-12-2011 / Gazeta 55

Kuvendi rrëzon propozimet e PS, TVSH-ja për produktet ushqimore nuk hiqet. Reagon ministri i Financave 

Mazhoranca rrëzoi dje në Kuvend propozimin e PS për heqjen e TVSH-së, për produktet bazë ushqimore dhe energjisë elektrike. Me 71 vota kundër dhe 63 “pro”, Kuvendi hodhi poshtë amendamentet e socialistëve, të cilët arsyetuan në diskutimet e tyre lehtësirat që do të krijojë heqja e TVSH-së, për produktet bazë tek konsumatorët shqiptarë, duke evidentuar edhe kushtet e vështira ekonomike që po kalon vendi dhe rajoni në tërësi. Duke replikuar me deputetët socialistë, ministri Financave, Ridvan Bode i konsideroi propozimet e opozitës për TVSH-në dhe për taksimin e sheshtë, si një përpjekje elektorale të një partie që sipas tij, nuk ka një program të qartë ekonomik.
Kreu i Financave tha se insistimi i opozitarëve është dogmë politike që nuk synon të mbrojë interesat e konsumatorëve, por ato të bizneseve pranë lidershipit socialist.
“Kjo është një demagogji politike, pasi nuk do të ulë nivelin e varfërisë siç pretendohet. Është një amalgamë dogmash pa sens që iu servirën shqiptarëve si platforma të një reforme fiskale. As vetë PS nuk beson realisht se një ulje e TVSH-së do të ulte nivelin e varfërisë në vend. Kjo është për të përfituar bizneset pranë PS-së. Kjo politikë mund të çojë në shpenzime më të mëdha, duke rritur konsumin e shtresave më të pasura dhe duke dekurajuar konsumin e shtresave më të ekspozuara. Duhen ndërmarrë skema të tjera për të mbështetur shtresat në nevojë”, u shpreh ministri Bode.
Në këtë drejtim, ai shpjegoi se qeveria për të mbështetur këto shtresa në nevojë ka hartuar ligjin për deklarimin e të ardhurave personale. Në bazë të tij, theksoi Bode, qytetarët do të deklarojnë buxhetet e tyre familjare si dhe çdo shpenzim që ata do të kryejnë. Nëpërmjet kësaj deklarate ata do të mund të rimbursohen për shpenzimet që do të kryejnë qoftë për blerjen e mallrave ushqimore, qoftë për shpenzimet në arsim, apo shëndetësi.
“Kjo është skema që krijon mundësi të mbështesim ato grupe shoqërore që janë më të ekspozuara aq më shumë mund të zgjerojmë listën e produkteve që ne mund t’i rimbursojmë familjeve në nevojë”, tha ai.
Sipas tij, qeveria ka dyfishuar nivelin e ndihmës ekonomike, ka rritur pagat me 1.9 herë, ka rritur pensionet me 2.3 herë e megjithatë ka probleme dhe duhen marrë politika të tjera për uljen e nivelit të varfërisë. Por kjo s’është rruga që duhet ndjekur. Ne e pranojmë, vijoi më tej Bode, duke iu drejtuar deputetit socialist Erjon Braçe, se ende ka shtresa të varfra që duhen ndihmuar, megjithëse është përgjysmuar niveli i varfërisë, por lideri i PS ka një mani për të kopjuar Sali Berishën kur ka qenë në opozitë në gjithçka dhe në program.
“Është e vërtetë që ju, kryetari juaj në fakt, jo ju, keni një mani, mani e cila po manifestohet në mënyrë permanente, që është të kopjojmë Sali Berishën kur ka qenë në opozitë në gjithçka dhe në program. A ka thënë në 2004 Sali Berisha që ne do të ulim TVSH, dhe e ka thënë dhe keni qenë ju këtu që e keni rrëzuar atë propozim. Zgjedhja juaj për të kopjuar Sali Berishën nuk mund të sjellë në pushtet Edi Ramën zoti Erjon! Harroje! Shqiptarët e kanë një Sali Berishë nuk kanë nevojë për një të dytë, mbajnë atë që kanë, që është provuar. PS nuk duhet t’i referohet programit të PD-së në opozitë. Realiteti shqiptar është krejt tjetër. I propozoj PS-së se pa një program të mirëfilltë politik dhe ekonomik nuk do të vijë në pushtet”, deklaroi më tej ministri i Financave, Ridvan Bode.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›