E Diel, 1 Nëntor 2026

“Reduktimi i TVSH, do të rriste konsumin e shtresave të pasura, por nuk do ulte çmimet”

23-12-2011 / Gazeta 55

Florion Mima, deputet i PD-së

Deputeti i Partisë Demokratike, Florion Mima u shpreh dje se reduktimi i nivelit të TVSH-së nuk do të sjellë ulje të çmimit të produkteve për konsumatorin. Gjatë diskutimit në seancën plenare të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” të ndryshuar”, Mima tha se nga disa përvoja të mëparshme, siç ishte ulja e TVSH-së për shërbimet në arsim nuk sollën uljen e shërbimeve nga institucionet arsimore publike e private për studentët”.
Sipas tij, drafti i Partisë Socialiste për uljen në 10 për qind të nivelit të TVSH-së për vajin, sheqerin dhe orizin dhe taksimi me zero për qind TVSH i grurit, miellit, qumështit dhe vezës ka një efekt në buxhet, jo më shumë se 1.9 miliardë lekë. Këto efekte sipas draftit të PS-së, mund të përballoheshin nga dhënia e licencës së dytë “3 G” dhe përmirësimi i administrimit fiskal.
“Përvoja ka treguar se aplikimi në praktikë i përvojave përjashtuese nga TVSH nuk është shoqëruar me uljen e çmimeve për konsumatorin. Reduktimet e nivelit të TVSH-së janë përfitime për operatorët që ofrojnë këto produkte, duke dëmtuar prodhuesit e brendshëm veçanërisht fermerët e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale”, tha deputeti demokrat.
Siç u shpreh ai, përshkallëzimi i TVSH-së shoqërohet me reduktim të të ardhurave tatimore, si dhe rritje të shpenzimeve për rimbursimin e TVSH-së, si rrjedhojë ai redukton burimin kryesor të të ardhurave të shtetit. Sa i takon propozimit të PS-së për reduktimin në masën 6 për qind të TVSH-së për energjinë elektrike për konsumatorin, Mima tha se, çmimi i energjisë në 3 vitet e fundit nuk është rritur, dhe nuk do të vijojë të rritet edhe për 3 vitet e ardhshme. Mima theksoi se reduktimi i TVSH-së në masën 6 për qind për konsumatorët familjarë të energjisë elektrike ka një efekt negativ në buxhetin e shtetit prej rreth 2.7 miliardë lekë në vit.
Ai bëri të ditur se efektet reale të masave të propozuara në këtë projektligj janë shumë më të mëdha se sa ato të paraqitura në relacion. Vetëm nga të ardhurat e munguara në doganë për produktet ushqimore dhe barnat, efekti është 5.5 miliardë lekë pa përfshirë efektin në tregun e brendshëm dhe rimbursimin.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›