E Diel, 1 Nëntor 2026

“Miratuam ligje të rëndësishme, përshëndes konsensusin mazhorancë - opozitë”

23-12-2011 / Gazeta 55

Kuvendi mbyll sesionin parlamentar për vitin 2011. Topalli falënderon deputetët për votën konsensuale në Kuvend gjatë 3 muajve të fundit

Kuvendi i Shqipërisë mbylli dje punimet për vitin 2011, me miratimin konsensual të kandidaturës së Avokatit të Popullit. Plotësimi i vendit vakant i një institucioni të rëndësishëm kushtetues ishte një tjetër moment i bashkëpunimit mazhorancë – opozitë, pas marrëveshjes dypalëshe në muajin nëntor, për miratimin e ligjeve me 3/5 dhe plotësimin e vendeve vakante në institucionet kushtetuese.
Pas betimit të Buajr Leskajt kreut të KLSH-së dhe Igli Totozanit Avoaktit të Popullit, në mbyllje të seancës, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, uroi deputetët dhe familjet e tyre për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri 2012. Ajo falënderoi deputetët për punën dhe bashkëpunimin mes pozitës dhe opozitës në muajt e fundit.
“Gjatë këtyre dy viteve kemi kaluar 400 ligje dhe këtë vit rreth 207 ligje e vendime. Kemi kaluar me konsensus 4 kode. Vlerësoj ngritjen e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore dhe ngritjen e grupit të punës për Rregulloren e Kuvendit”, u shpreh Kryeparlamentarja Jozefina Topalli.
Ky sesion parlamentar i mbyllur sot, sesioni i pestë parlamentar i legjislaturës së XVIII, shënoi në javët e fundit nisjen e disa prej reformave të kërkuara parlamentare, të cilave ua ndezi dritën jeshile kompromisi i arritur mes mazhorancës dhe opozitës. Kështu pjesë e konsensusit pozitë-opozitë u bënë ngritja e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore, për reformën parlamentare, miratimi i disa ligjeve me 3/5, siç ishin Kodet e Republikës së Shqipërisë, njëri syresh ai Penal pritet të shqyrtohet në muajin janar të vitit të ardhshëm, kur do të nisë edhe sesioni i ri i Kuvendit, pas festave të fund vitit dhe pushimeve dimërore.
Pas seancës Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i ftoi deputetët në një koktej festiv në mjediset e Kuvendit. Gjithashtu, gjatë seancës, deputetët miratuan me 71 vota “pro” dhe 61 abstenime një ndryshim në ligjin ‘Për miratimin me ndryshime të dekretit ‘Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit’. Akti normativ “Për një ndryshim në ligjin “Për buxhetin e vitit 2011” u miratua me 71 votat e mazhorancës.
Në seancën e fundit për vitin 2011, u miratuan dhe dy kandidatura për bordin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Riçard Marku dhe Miranda Ramaj si dhe u ri-konfirmua përbërja e delegacionit parlamentar shqiptar në Këshillin e Europës.
Sipas rregullores parlamentare, sesioni i ri i Kuvendit do të rinisë punimet në javën e tretë të muajit janar.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›