Bode: Pagat e pensionet rritje 5-10 për qind
tiranë
Rritja e pagave dhe pensioneve në muajin korrik do të favorizojë nivelin më të ulët të tyre, i cili do të njohë një rritje maksimale 10 për qind. Ministri i Financave Ridvan Bode gjatë një interviste për gazetarin Alfred Peza në emisionin “Ora e Debatit” në televizionin ‘Ora News’ dha edhe detajet për skemën që do të diskutohet në ditët në vijim. “Rritja e pagave dhe pensioneve është një strategji konstante e Qeverisë e përdorur në mandatin e parë dhe do të vijojë sipas programit të saj edhe në këtë mandat për të mbështetur një rritje të lartë të pagave dhe pensioneve dhe kjo për disa arsye”, theksoi Bode. Sipas tij ekzistojnë gjithë mundësitë për të mbështetur këtë rritje. Këtu ministri ju referua faktit që në janar të këtij viti Qeveria ka ngrirë 30 miliardë lekë të shpenzimeve publike “për të mundësuar një bazament më të fortë të ekonomisë së vendit dhe një stabilitet më të madh makroekonomik për të mos lejuar deformime dhe denatyrime”. Sipas ministrit në këtë ngrirje prej 30 miliardë lekë të reja nuk u lanë jashtë praktikave rritja e pagave dhe pensioneve dhe fondi është disponibël. Sa i përket përqindjeve të rritjes së pagave dhe pensioneve sipas niveleve ministri dha edhe detajet përkatëse. “Mendohet që pagat e larta të rriten në nivelet 2 për qind. Paga të larta konsiderohen paga e presidentit, ministrave dhe me radhë hierarkia. Janë pastaj kategoritë e tjera të nëpunësve të administratës qendrore dhe vendore të cilët kanë rritjet e tyre që do të lëvizin nga 5 deri në 10 për qind sipas kategorive duke vijuar me një ritëm më të lartë tek pagat më të ulëta dhe me një rritje më të moderuar tek pagat më të larta”, shpjegoi Bode. Sa i përket pensioneve kreu i Financave deklaroi se ato pritet të kenë një rritje që do të variojë nga 5 për qind deri në 10 për qind kjo në vartësi të niveli të pensionit. “Niveli më i ulët dhe i diskriminuar i pensioneve do të ketë rrije më të lartë. Ndërsa mes pensioneve të qytetit dhe të fshatit përqindja më e lartë e rritjes do të jetë për atë të fshatit”, tha ministri. Ai informoi se i gjithë fondi i programuar për rritjen e pagave dhe pensioneve për 6 mujorin e dytë të këtij viti është rreth 5 miliardë lekë kurse në kushtet e një viti të plotë është rreth 10 miliardë. “Nga kjo rritje përfitojnë nga gjithë kategoritë rreth 840 mijë qytetarë që vijnë nga skemat e pensionit dhe kategoritë e tjera, 120 mijë të tjerë që lidhen me politikën për grupet e asistencave dhe pensioneve të veçanta për paraplegjikë, invalidët dhe punonjësit e administratës”, u shpreh kreu i Financave.
Rritja e pagave dhe pensionet
2 për qind niveli i lartë 10 për qind pagat e ulëta 5 për qind pagat e larta 10 për qind pensionet e ulëta 5 për qind pensionet e larta