Pengmarrja me armë lodër në Tiranë, gjykata liron autorin
TIRANE – Gjykata e Tiranës vendosi dje lehtësimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për Elton Sutermanin, personi që mbajti “peng” me një pistoletë lodër shitësen e një dyqani pranë stacionit të trenit në kryeqytet. Ditën e djeshme, Sutermani u paraqit në gjykatë në zbatim të vendimit “arrest me burg me afat 20 ditë” të caktuar nga gjykata për të, pas arrestimit. Gjykata vendosi ndryshimin e masës së tij nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitjeje”. Afati 20 ditë kohë u vendos nga gjykata për t’i lënë kohë organit të akuzës për kryerjen e një akt-ekspertimi psikik, pasi dyshohej se Sutermani kishte probleme mendore. Burime pranë Gjykatës së Tiranës saktësuan se akt-ekspertimi nuk u paraqit në seancë, pasi nuk është kryer fare, duke qenë se është konsideruar i panevojshëm. Sipas organit të akuzës, Elton Sutermani akuzohet për “kanosje” dhe “heqje të paligjshme të lirisë”. Ngjarja për të cilën u prangos Sutermani u shënua rreth orëve të mesditës së 29 majit të këtij viti, kur policia e Tiranës mori njoftim se në afërsi të Stacionit të Trenit në Bulevardin “Zogu I”, në Tiranë një shtetas ishte futur i armatosur në një dyqan celularësh. Policia e mbërritur në vendngjarje, pasi rrethoi zonën, konstatoi praninë e një personi me një armë në dorë në ambientet e brendshme të dyqanit. Pak më parë personi kishte lëshuar shitësen e dyqanit, të cilën e kishte mbajtur nën presionin e armës për pak çaste. U desh mbërritja e negociatorëve të forcave speciale RENEA dhe negociata përreth 30 minuta që autori të dorëzohej. Gjatë negociatave ai iu drejtua punonjësve të policisë se nuk donte të vriste kënd dhe as të grabiste. ar.ba