Ligji për inspektimin financiar, PS “refuzon” diskutimin
Projektligji për “Inspektimin Financiar Publik” u diskutua dje në Komisionin e Ekonomisë ku deputetët e Partisë Socialiste vendosën si kusht paraqitjen e korrespondencës me BE-në nga ana e Ministrisë së Financave. Sipas zëvendëskryetares së këtij komisioni Mimi Kodheli, ky ligj dhe ai për menaxhimin financiar janë shumë të vonuar. Shqyrtimi i tyre nga Komisioni i Ligjeve për kushtetutshmërinë e ligjit dhe institucioneve të pavarura që ky ligj prek si dhe në Komisionin e Integrimit për të parë përputhshmërinë me ligjet e BE-së ishin një tjetër propozim i socialistëve. Kjo nga ana e deputetëve demokratë është cilësuar si një bllokim i punës së Komisionit ndërkohë që nuk kanë munguar debatet mes deputetit Shefedin Shehu dhe Erion Braçe. Nga ana e kryetarit të Komisionit Edmond Spaho u kërkua që projektligji të miratohej në parim dhe më pas debatet të bëheshin gjatë diskutimit nen për nen, por socialistët këmbëngulën në paraqitjen e korrespondencës. I pranishëm si përfaqësues i Ministrisë së Financave ishte zëvendësministri Nezir Haldeda, i cili garantoi se në vijim kjo korrespondencë do të sigurohet ndërkohë që nga ana tjetër ai bëri shpjegimet përkatëse për projektligjin e inspektimit financiar publik. Sipas Haldedës me këtë projektligj ndahen funksionet e auditit. “Inspektim tani është një veprimtari që nis nga informacionet e jashtme dhe përfundimisht definohen edhe termat e shpërdorimit dhe çrregullimeve. Unë kam vënë re që në këtë aspekt ekziston një mënyrë jo e saktë e të konceptuarit”, tha Haldeda. Pas fjalës së zëvendësministrit deputetët i drejtuan një sërë pyetjesh specifike mbi projektligjin ndërkohë që vazhdimi i diskutimit është lënë për në mbledhjen e radhës së Komisionit të Ekonomisë.