Gjoni: Kompanitë e sigurimeve nuk paguajnë dëmet
Sigurimet e makinave, ndoshta me çmime të liberalizuara
Autoriteti mbikëqyrës thotë se brenda këtij viti mund të liberalizohen çmimet fikse dhe të kripura që paguajmë sot
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare deklaroi dje se kompanitë e sigurimit vijojnë të kenë një nivel pagese dëmesh të papërfillshme, si dhe shpenzime operative jashtëzakonisht të larta. Duke raportuar për aktivitetin vjetor në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë, kryetarja e Autoritetit, Elisabeta Gjoni deklaroi se kompanitë e sigurimeve vijojnë të shpenzojnë një pjesë shumë të vockël të të ardhurave për të shlyer dëmet e aksidenteve dhe një pjesë shumë të madhe për të mbuluar koston e zyrave dhe agjentëve që i shesin policat e sigurimeve. Sipas të dhënave për vitin 2007, dëmet e paguara qenë vetëm 22% e totalit të të ardhurave, me rënie kundrejt vitit 2006, kur dëmet qenë gjithsej 28%. Gjatë vitit të kaluar, kompanitë e sigurimeve kanë shpenzuar 57% të parave të veta për pagesa agjentësh e zyrash. Në një treg financiar, pranohet gjerësisht se shpenzimet operative duhet të përbëjnë vetëm një pjesë shumë të vogël të të ardhurave, zakonisht më pak se 20%. Por kjo nuk ndodh në Shqipëri. Nga statistikat rezulton se vetëm 1.66% e shqiptarëve që kanë blerë një police sigurimesh, kanë përfituar në rast dëmi. Në tregun e Sigurimeve të Jetës, vetëm 51 shqiptarë nga 41 mijë që kanë blerë një police kanë përfituar dëmshpërblim. "Këta dy tregues duhen parë me vëmendje të veçantë në mënyrë që të ruhet efikasiteti i kompanive, si dhe të shmangen problemet në treg", tha ajo.
Ekzistojnë për shkak të ligjit
Dukshëm kompanitë e sigurimeve në Shqipëri ekzistojnë thjeshtë për faktin se disa nga produktet e këtyre kompanive janë detyrim ligjor ose thuajse ligjor për shqiptarët. Shumica dërrmuese e të ardhurave të kompanive të sigurimeve përbëhen nga sigurimi i detyrueshëm i automjeteve ose sigurimi i shëndetit në udhëtim, një produkt që kërkohet nga të gjitha ambasadat e huaja sa herë që një shqiptar aplikon për vizë. Police të tjera janë pothuajse me detyrim për klientët që kërkojnë kredi në banka etj. Sikur të mos mjaftojë kjo, kompanitë e sigurimeve nxisin qeverinë të vendosin polica të tjera detyruese. Kërkesa të tilla hidhen sapo ndodhin aksidente në punë, ku kërkohet që punëtorët e profesioneve të ndryshme të sigurohen me detyrim ligjor, apo edhe kur diku larg ndodh ndonjë tërmet, hidhet ideja e sigurimit të detyrueshëm për shtëpitë në rast tërmetesh.
Një treg i fuqishëm
Tregu i kompanive të sigurimeve ka rritur asetet e veta deri më 13.5 miliardë lekë gjatë vitit 2007, rreth 110 milionë euro. Të ardhurat u rritën me 30%, duke arritur në 6 miliardë lekë (rreth 49 milionë euro), përgjithësisht si pasojë e shtimit të numrit të makinave në qarkullim, si dhe të çmimeve. Ndërsa numri i përgjithshëm i kontratave të sigurimeve arriti në 544 mijë, me rritje 7% kundrejt vitit të 2006, të ardhurat u rritën me 30%. Rritja e të ardhurave duket se është shkaktuar nga një vendim i Ministrisë së Financave i fundvitit 2006, kur çmimet e sigurimit të makinave u rritën ndjeshëm. Të ardhurat nga sigurimi i automjeteve u rritën me 43% gjatë vitit të kaluar, ndërkohë që numri i kontratave u rrit vetëm me 1.72% duke arritur në 335 mijë njësi. Ky është një tregues që flet edhe për pasojat e taksave të reja doganore mbi makinat e përdorura të importuara. Në korrik të vitit të kaluar, me vendim qeverie pati një rritje të fortë të Taksës së Ndotjes dhe për pasojë, gjithnjë e më shumë makina u futën në vend me sistemin e riqarkullimit të dokumenteve të makinave që kanë dalë jashtë qarkullimi.
Shumica e parave shkojnë për paga e zyra
Shumë shpesh është folur për një situatë financiare në kompanitë e sigurimeve, shumë të ndryshme nga realiteti i dokumenteve kontabël. Teorikisht, kompanitë e sigurimeve kanë mbledhur 49 milionë euro të ardhura gjatë vitit të kaluar, ndërsa kanë shpenzuar 28 milionë euro nga këto për pagesa agjentësh e zyrash ku shiten policat. Zyrtarisht, çmimet e policave të sigurimit janë të panegociueshme. Çmimet janë përcaktuar nga Ministria e Financave. Praktikisht, të gjithë ata që kanë blerë një police sigurie, e dinë se mund t'i negociojnë çmimet e të paguajnë më pak. Kompanitë e sigurimeve nuk deklarojnë dot çmime shitjesh nën minimumin ligjor, por deklarojnë diferencën mes të ardhurave reale dhe çmimeve zyrtare si "pagesë për agjentin ndërmjetës". Për pasojë, pranohet gjerësisht se te këto 28 milionë euro hyjnë edhe "pagesat për agjentët ndërmjetës" si dhe uljet e çmimeve në një treg edhe të liberalizuar nga numri i operatorëve, edhe të paliberalizuar nga çmimet. Në realitet, dihet se të ardhurat e kompanive të sigurimeve janë shumë më të ulëta sesa shifrat e deklaruara.
Lobing për të shtuar sigurimet e detyrueshme
Disa deputetë kërkuan dje që "AMF" të kontribuojë në shtrirjen e veprimtarisë siguruese në sektorët e ndërtimit, karburanteve, minierave dhe hotelerisë". Që prej kohësh, kompanitë e sigurimeve kanë filluar organizimin e lobingjeve për ndryshime ligjore në interes të tyre, duke shtuar produktet që qytetarët do të jenë të detyruar t'i blejnë, siç janë sot të detyruar të blejnë sigurimin e makinave për përgjegjësi ndaj palëve të treta.
Në përgjigje të kësaj kërkese, Gjoni tha se është bashkëpunuar me institucionet përkatëse për nxitjen e produkteve të sigurimeve që mbrojnë në masë të konsiderueshme interesat e publikut dhe të të punësuarve nga rreziqet që mbart ushtrimi i aktiviteteve në sektorët e sipërpërmendur. "Promovimi brenda vitit 2008 i këtyre produkteve do të sjellë njëkohësisht edhe përmirësimin e strukturës së tregut të sigurimeve", tha kryetarja e AMF-së, Elisabeta Gjoni.
Liberalizimi, një ide
Kryetarja e Autoritetit, znj.Gjoni deklaroi dje se pritet që në fund të këtij viti, kompanitë e sigurimeve të fillojnë të raportojnë situatën e tyre financiare sipas Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit. Kjo është shumë e rëndësishme, për shkak se standardet aktuale të kontabilitetit për kompanitë e sigurimeve lënë vend për paraqitjen jokorrekte të situatës financiare. Znj.Gjoni deklaroi gjithashtu se një projektligj i ri për sigurimet e detyrueshme do të hapë rrugë për liberalizimin gradual të çmimeve, shoqëruar me një mbikëqyrje më të rreptë të financiare për kompanitë.
Box
Pensionet private
Tre kompani të licencuara për të ofruar produkte private në fushën e pensioneve të pleqërisë, kanë gjithsej 2872 klientë dhe një fond total të akumuluar prej vetëm 32.1 milionë lekësh. (rreth 263 mijë euro). Të tria kompanitë kanë filluar aktivitet në janar 2006, por deri më sot, duket se ka shumë pak interes për këto lloj produktesh në treg. Fondet aktuale që ata menaxhojnë janë në nivel shumë të ulët, gjë që ul besueshmërinë e publikut te këto kompani. Fondet e mbledhura nga individët, këto kompani i investojnë në bono thesari.