Komunistët harrojnë ditën Kur lindi Partia
18 vite kanë mjaftuar që edhe komunistët shqiptarë ta harrojnë “Ditën kur lindi partia”. Ndërsa deri në fund të vitit 1990, 8 nëntori ishte dita kur kujtohej themelimi i Partisë Komuniste të Shqipërisë, në vitin 1941, sot, pas zhdukjes së të gjitha gjurmëve që lidhnin këtëngjarje të rëndësishme për komunistët shqiptarë, dita e themelimit nuk është as në memorjen e tyre. Në disa kontakte telefonike që pati dje “Shekulli” me fanatikë të PPSH-së, trashëgimtares së PKSH-së së themeluar 67 vite më parë, rezultoi se asnjëri prej tyre nuk e kishte fiksuar ditën e sotme si një ditë përkujtimore për ditën “Kur lindi partia”. Madje edhe Nexhmije Hoxha, e veja e ish-diktatorit shqiptar, Enver Hoxha, tha se nuk kishte asnjë axhendë politike sot, për ditën e themelimit të PKSH-së. “Jo, jo nuk ka asnjë aktivitet”- deklaroi ajo mbrëmë në një lidhje telefonike me gazetën “Shekulli”. E pyetur nëse kishte ndonjë mesazh për ithtarët e mbetur të partisë së komunistëve shqiptarë, Hoxha u përgjigj: “Nuk kam asnjë mesazh, të gjitha çfarë kisha i thashë në intervistën në televizion”, duke iu referuar intervistës televizive që dha me rastin 16 tetorit, 100 vjetorit të lindjes së ish-udhëheqësit komunist, Enver Hoxha. Madje festimet për 100 vjetorin e Hoxhës treguan se fanatikët e komunizmit jo vetëm që janë një grusht, por edhe të përçarë. Djali i madh i Hoxhës, Iliri, deklaroi në Gjirokastër një muaj më parë se nuk ishte anëtar partie, ndërsa pati debate dhe me disa drejtues të një fraksioni që mban emrin e PKSH-së së vitit 1941.
Dita e themelimit të PKSH-së është prej fundvitit 1990 një temë e nxehtë debatesh mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të Enver Hoxhës. Sipas të parëve, historinë e bëri Enver Hoxha i cili: “Më 8 nëntor 1941, pas dy vjetësh pune të palodhur e të pandërprerë në kushtet e rënda të terrorit fashist, bashkë me komunistët e vërtetë shqiptarë kryen veprën që do të shënonte kthesën rrënjësore në fatet e popullit e të vendit tonë: themeluan Partinë Komuniste të Shqipërisë, udhëheqësen besnike që do t’i tregonte popullit rrugën e luftës për çlirim kombëtar e shoqëror e më pas rrugën e socializmit”. Ndërsa kundërshtarët e Hoxhës thonë se 8 nëntori 1941 shënoi ditën kur ai filloi të godiste anëtarët e Komitetit Qendror që ai i shihte si rivalë në luftën e tij për të kapur kreun e partisë. Nga nëntori '41 e deri në marsin e '43 kur Hoxha u zgjodh në krye të PKSH, u vranë Qemal Stafa, Vasil Shanto dhe Sadik Stavaleci, që ishin kandidatë kryesorë për kreun e PKSH. Për këta të tre sipas shumë dëshmive janë hedhur dyshime duke akuzuar Enverin të implikuar direkt në vrasjet e tyre.