E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Pse morëm borxh për Durrës-Kukës

Borxhi që do të merret nga bankat tregtare me vlerë 250 milionë euro do t‘i shërbejë vijimit të rritjes ekonomike të vendit dhe aspak thellimit të borxhit. Për qeverinë e djathtë, marrja e borxhit nuk është asgjë para projektit të rrugës Durrës-Kukës, kurse leverdia do të jetë më e madhe për ekonominë. Ministri i Financave, në një intervistë për "Shqip", paraqet detaje të marrëveshjes 250 milionë euro me interesa mbi 11%, si dhe arsyet që shtynë qeverinë të futej në borxhe në një situatë krize. Ministri tregon edhe raportet e reja me FMN-në, si dhe çfarë pasojash do të kishte marrja e kredisë në tregun vendas. Duke u ndalur te shpenzimet buxhetore në prag fushate, kreu i Financave jep garanci se të gjitha veprimet po kryhen brenda planit. Marrja e kredisë nga bankat tregtare solli reagime të forta nga opozita dhe ekspertët, kurse institucionet e huaja, u treguan më të kujdesshme, duke paralajmëruar kujdes në rritjen e deficitit buxhetor.

Zoti ministër, opozita ka sulmuar ashpër veprimin e fundit të qeverisë, marrjen e 250 milionë eurove borxh nga një grup bankash të huaja. Ish-ministri i Financave, z. Arben Malaj, është shprehur se normat e larta të interesit të borxheve të tilla janë shumë të rënda për të nesërmen. Ju si e gjykoni këtë borxh kaq të shtrenjtë?

Gjykoj se marrja e një kredie ndërkombëtare nga bankat evropiane dhe bankat e vendeve të tjera përbën një sukses për ekonominë e vendit. Qeveria shqiptare ia arriti, përmes raporteve dhe besueshmërisë që ka shfaqur me partnerë të tillë seriozë ndërkombëtarë si "Deutsche Bank" dhe "Alpha Bank" (të cilat drejtuan procesin e kontraktimit të kësaj kredie), të financojë ekonominë shqiptare në këtë vit të krizës financiare ndërkombëtare dhe krizës globale. Arriti të importojë e të injektojë në ekonominë shqiptare një shumë prej rreth 250 milionë eurosh si kufirin maksimal.

Kjo kredi do merret në dy transhe. Interesi i kredisë është variabël dhe përbëhet nga indeksi Euribor, plus marzhi prej 9.65%. Niveli i kredisë reflekton interesat e tregut dhe si i tillë, në treg nuk mund të thuhet kurrë që u mor shtrenjtë apo lirë, sepse çmimet përcaktohen nga tregu. Gjykoj se ekonomia jonë kishte nevojë për këtë kredi, kurse sa për interesin, nuk mund të shpresohej të merrej më i ulët se 11%, madje niveli i tij, reflekton riskun e ulët që përfaqëson Shqipëria. Vende të tjera kanë kërkuar kredi, duke pranuar edhe përqindje shumë më të larta se sa ajo që arritëm ne, por nuk kanë marrë.

Opozitës do t‘i kujtoja se ka perënduar koha kur marrja e huave konsiderohej herezi, tradhti kombëtare. Do të thosha se kjo kredi tregtare ndihmon zhvillimin e ekonomisë sonë. Pse kontribuon drejtpërsëdrejti në investimet publike në infrastrukturë? Një rrugë kombëtare që vonohet për t‘u vënë në shfrytëzim është pengesë për zhvillim. Do ta ndiente këtë vonesë biznesi, shkëmbimet tregtare, sidomos mes Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe turizmi që paraqitet si industria numër dy e vendit. Në të kundërt, përshpejtimi i ndërtimit të rrugës dhe i kryerjes së investimeve të tjera publike vetëm se i japin shtysë të fuqishme progresit tonë ekonomik. Parë në këtë këndvështrim, pagesa e interesave është një kosto më se e përballueshme për sot dhe për të ardhmen.

Kredia e siguruar ka dhe dobi të tjera për vendin tonë. Ne e marrim atë për një afat trevjeçar, por në momentin që tregu ofron norma më të ulëta interesi, ne kemi të drejtë që pas vitit të parë të prishim kontratën, pra të kthejmë mbrapsht kredinë pa asnjë lloj penaliteti, as pagim interesash dhe as pagim gjobash a detyrime të tjera për prishje kontrate.

Ishte vërtet e domosdoshme marrja e kësaj kredie? Nuk mund të pritej derisa përqindja e huave në tregun ndërkombëtar të ulej?

Në kushtet kur bankat tregtare në vend kanë shtrënguar kredinë (kundërveprim i natyrshëm ndaj presionit të krizës financiare botërore), kur turizmi mund të përballet me disa vështirësi dhe kur të ardhurat e emigrantëve janë pakësuar, ekonomia jonë ka nevojë për kapital të ri qarkullues. Qeveria mund të kishte provuar të merrte para hua nga individët dhe bankat në vend, duke rritur yield-in (përqindjen e interesit) të bonove të thesarit. Ndoshta kjo do t‘i kishte kushtuar edhe më pak se kostoja e huasë ndërkombëtare. Mirëpo kjo, nga ana tjetër, do t‘i pengonte bankat në vend që të grumbullonin likuiditetin e nevojshëm për të vijuar programet e kreditit. Kredia bankare e brendshme duhet të vijojë, madje të marrë kurajë dhe bankat të provojnë të guxojnë më shumë me produktet e tyre. Duhet thënë se bankat i janë përgjigjur mirë këtyre kohëve të vështira dhe kanë vijuar produktet e tyre të huasë, madje kanë nxjerrë në treg shërbime të reja. Kjo vlen për t‘u përshëndetur, pasi ndihmon ekonominë tonë të rritet. Nuk ka çmim më të madh, kosto më të madhe, rëndim për brezin e sotëm dhe të nesërm, se sa lënia e vendit në rënie ekonomike. Rënia ekonomike nënkupton varfërimin e shqiptarëve dhe futjen e ekonomisë së vendit të tyre në krizë. Prandaj po reagojmë dhe do të bëjmë ç‘është e mundur që ekonomia shqiptare të mbetet jashtë vorbullës së krizës.

Zëvendësi juaj, zoti Shehu, është shprehur se "bëmë të pamundurën" lidhur me marrjen e kësaj kredie. A nuk mund të ishin marrë këto para që nevojiteshin, pra një çerek miliardi euro nga FMN-ja (e cila, nga ana e saj, ka marrë një treçerek trilioni dollarë nga G-20 për të ndihmuar vendet në vështirësi për shkak të krizës), duke paguar shumë më pak përqindje interesi?

FMN kur të jep para, të jep për qëllime dhe në kushte të tjera. Mendoj se z. Shehu ka folur drejt në një dalje të tij publike disa javë më parë, kur u shpreh se është më mirë të mos bëhemi për paratë e FMN-së. Me fjalë të tjera, ky institucion ndihmon në radhë të parë vendet me një deficit të theksuar të buxhetit publik dhe inflacion galopant. Vende që tashmë janë në prag krize ose kanë hyrë në krizë. Të tilla ndodhen sot Hungaria, Ukraina, etj. Është e natyrshme që FMN ka përgatitur për to paketa me kredi të buta disa miliardë dollarë. Ne, edhe po t‘ia kërkonim FMN-së paratë që na nevojiten, nuk do të arrinim t‘ia merrnim, sepse Bordi i Drejtorëve të saj nuk do t‘i aprovonte. Ne kërkuam në tregun ndërkombëtar kredi për të ruajtur stabilitetin makroekonomik të vendit, jo para për t‘i shpëtuar thellimit të krizës, sikurse zakonisht jep FMN-ja. Mund t‘ju them madje se për këtë kredi 250 milionë euro jemi konsultuar edhe me FMN-në dhe me Bankën Botërore. Sugjerimi i tyre ka qenë që për ne e rëndësishme sot është të arrijmë të marrim kredi në tregun ndërkombëtar. Kjo përbën një sukses shumë të madh. Përfaqësuesja e FMN-së këtu e përsëriti këtë gjë publikisht pak ditë më parë. Na kanë thënë se "nuk ka rëndësi norma e interesit me të cilën do ta merrni, pasi sot nuk ofrohen para". Duhet ta dimë se të gjitha vendet, për shkak të tronditjeve të mëdha dhe të gropës së madhe financiare që është krijuar në to, po ndjekin politikën e bllokimit të eksportimit të parave. Ato nuk lejojnë që paratë të shkojnë drejt një vendi tjetër, pse duan t‘i kenë për vete dhe për të mbështetur zhvillimet në tregjet e tyre të brendshme, si dhe për të financuar nevojat e tyre buxhetore. Ne mundëm që ta sigurojmë këtë kredi dhe të jeni i sigurt se për ekonominë shqiptare dhe për gjasat e zhvillimit të mëtejshëm të saj, ky është një lajm i mirë.

Si po shkojnë shpenzimet qeveritare një muaj përpara zgjedhjeve, zoti Bode? Po vetë ekonomia jonë?

Mund t‘ju them se ecuria e tremujorit të parë për vitin 2009 flet për një vijimësi pozitive në realizimin e treguesve të buxhetit të shtetit. Kjo, nga ana tjetër, dëshmon që ekonomia shqiptare vijon të performojë në mënyrë pozitive, edhe përballë presioneve në vijim të krizës globale mbi rajonin tonë. Për periudhën janar-mars 2009, të ardhurat e buxhetit të qeverisë qendrore (pa përfshirë qeveritë vendore) janë realizuar 100 për qind, me një diferencë prej rreth 600 milionë lekësh kundrejt 74.6 miliardë lekë të programuara. Tatimet vijojnë të japin më shumë se sa ritmi mesatar vjetor i programuar, me një rritje prej rreth 13 përqindësh. Në tërësinë e tyre, objektivat në raport me të ardhurat e buxhetit të shtetit janë plotësuar. Në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2008, kemi një rritje të të ardhurave në buxhetin e shtetit prej 14 përqindësh. Nga të dhënat operative që kemi për muajin prill, arkëtimi i të ardhurave vijon përmirësimin. Kjo jep garanci për realizimin në vijimësi të të ardhurave buxhetore, pavarësisht nga situata zgjedhore që ka Shqipëria. Në krahasim me një vit më parë, të gjitha të ardhurat kanë një tejkalim, me përjashtim të Tatimit mbi Fitimin dhe taksës doganore.

Po ashtu, situata në sistemin bankar duket e stabilizuar dhe e qetë, çka do të na mundësojë që në vijimësi, me interesa konkurruese dhe të përshtatshme, të vijojmë programin tonë të investimeve, duke përdorur gjysmën e të ardhurave të privatizimit për uljen e stokut publik. Kjo dëshmon për situatën e mirë financiare të borxhit publik në Shqipëri. Nga ana tjetër, mund t‘ju përmend që janë rritur me 7 për qind të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), një taksë që mat vëllimin e qarkullimit të mallrave. Gjëja më e rëndësishme është që në tregun e brendshëm ka rreth 14 për qind më shumë të ardhura nga TVSH-ja, pra të ardhura nga qarkullimi i mallrave, çka do të thotë se ekonomia po ecën konform të gjitha programeve që ne kemi parashikuar dhe deklaruar për vitin 2009.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›