E Diel, 1 Nëntor 2026

Borxhi i brendshëm, rritje rekord në vitin 2008

Borxhi i brendshëm i Shqipërisë u shtua me 31 miliardë lekë, (251 milionë euro) gjatë vitit të kaluar, duke shënuar rritjen më të lartë në katër vitet e fundit, bëhet e ditur nga statistikat finale të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Stoku i bonove të thesarit u reduktua, por stoku i obligacioneve dy-shtatëvjeçare si dhe obligacionet e rivlerësimit me Bankën e Shqipërisë, u rritën në mënyrë dramatike. Gjatë vitit 2007, borxhi i brendshëm ishte shtuar me 21 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2006 me 22 miliardë. Në fundin e vitit të kaluar, qeveria qe aq ngushtë për para sa iu drejtua Bankës së Shqipërisë për të marrë një hua direkte prej 3 miliardë lekësh. Hera e fundit që qeveria pati marrë hua direkt nga Banka Qendrore, ishte viti 2002. Në atë kohë, nën mbikëqyrjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar, qeveria shqiptare pati hequr dorë nga marrja e kredive direkte në Bankën Qendrore. Ndonëse një shumë relativisht e vogël, ekspertët kanë frikë se huamarrja direkte mund të kthehet në rrugë për qeverinë në të ardhmen. Në total, stoku i borxhit të brendshëm të Shqipërisë u rrit me 8.4 për qind, rritmi më i lartë i rritjes që nga viti 2005. Për shkak se borxhi është marrë në terma më afatgjatë sa më parë, kostoja e tij është rritur më shumë sesa vetë borxhi.

Shkaku i rënies së lekut

Ekspertët shpjegojnë se zhvlerësimi i lekut gjatë muajve të parë të këtij viti i detyrohet pothuajse tërësisht rritjes së shpenzimeve të qeverisë. Euro u kuotua dje në 132.33 lekë. Dje ishte dita e parë në dy javë në të cilën leku nuk vijoi të zhvlerësohej. Qeveria është përpjekur gjerësisht ta paraqesë rënien e lekut si pasojë e rënies së remitancave, por ekspertët thonë se remitancat kanë një lidhje shumë të largët me kursin e këmbimit në këtë kohë. Zakonisht gjatë dy dekadave të fundit, Shqipëria ka paguar importet me remitancat. Por nëse remitancat ulen, në të njëjtën masë duhet të ulet edhe konsumi, pasi shqiptarët nuk shpenzojnë dot paratë që nuk i kanë. Ndryshe nga qytetarët, qeveria ka mundësi të shpenzojë para që nuk i ka, gjë që sjell edhe zhvlerësimin e lekut në treg. Perspektiva duket e zymtë për shkak se edhe këtë vit qeveria ka planifikuar shpenzime të mëdha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›