E Shtunë, 31 Tetor 2026

Industria e sigurimeve kërkon lehtësi nga tatimet

Një paketë me propozime konkrete për lehtësi fiskale i është drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve nga kompanitë e sigurimeve në Shqipëri. Përfaqësuesit e Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, si përfaqësuese e industrisë shqiptare të sigurimeve zhvilloi një takim me përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve të kryesuar nga drejtori i përgjithshëm, Artur Papajani. Kompanitë i kanë bërë Papajanit kërkesa konkrete, të cilat drejtoria e tatimeve mund t’i rishohë dhe të bëjë ndryshime sipas kërkesës të përfaqësuesve të industrisë së sigurimeve.
Një ndër kërkesat kryesore të paraqitura para drejtorit të Tatimeve, Papajani, ishte përjashtimi i kompanive të sigurimeve nga detyrimi për t’u pajisur me kasa fiskale, si institucione financiare që ofrojnë shërbim vetëm nëpërmjet rrjetit bankar. Po kështu, ata kanë kërkuar njohjen si shpenzim të zbritshëm të komisioneve bankare që kompanitë e sigurimit u paguajnë bankave për arkëtimin e primit të sigurimit. Kompanitë paraqitën si kërkesë para tatimorëve edhe nevojën për kreditimin e TVSH-së për shpenzimet e industrisë për automjetet, duke i kategorizuar ato si mjete themelore në ushtrimin normal të aktivitetit të tyre. Ata u kërkuan tatimeve njohjen si shpenzim të zbritshëm të shpenzimeve të sigurimit të jetës apo të shëndetit të punëmarrësve. Po kështu, kërkesë e tyre ishte mosaplikimi i TVSH-së për komisionin e shitjeve të produkteve të sigurimit të jetës, produkte të cilat janë të përjashtuara nga TVSH-ja. Kërkesa e fundit ishte konsiderimi gjatë kontrolleve të ushtruara nga tatimet, të detyrimit ligjor për t’u siguruar të klasave të veçanta të biznesit të përcaktuara me ligj apo akte nënligjore. Drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, në fjalën e tij e cilësoi industrinë e sigurimeve si një nga kontribuuesit më të mëdhenj e dinjitozë në sistemin e të ardhurave fiskale dhe së bashku me stafin që e shoqëronte u angazhuan për një trajtim korrekt e efiçent të problematikës së pozuar nga industria e sigurimeve. Gjithashtu, palët në takim, pasi e vlerësuan maksimalisht qëllimin dhe rëndësinë e këtij takimi, u angazhuan reciprokisht të investohen për konsolidimin e një klime bashkëpunuese dhe vullneti të mirë për të realizuar më së miri objektivat e institucioneve që përfaqësojnë. Shoqata e Siguruesve informoi z. Papajani me stadin e zhvillimit të industrisë së sigurimeve në Shqipëri dhe specifikave që mbart kjo industri si një nga tri shtyllat promotore të zhvillimit ekonomik-social të shoqërisë dhe shtetit shqiptar. Industria e sigurimeve në Shqipëri është një industri e re dhe si e tillë ajo kërkon domosdoshmërisht mbështetje dhe iniciativa, politika orientuese dhe harmonizim legjislativ në përafrimin e impaktit të saj drejt standardeve rajonale, evropiane dhe më gjerë. Roli i saj i padiskutueshëm dhe i pranuar nga organizmat publikë e shtetërorë, në zhvillimin e ekonomisë dhe mbështetjes së sistemit financiar në tërësi, janë arsye të qenësishme për të krijuar një klimë reale zhvillimi dhe mirëkuptimi institucional ndaj sfidave të zhvillimit të kësaj industrie. Tregu shqiptar i sigurimeve është gjithashtu një nga tregjet më të konsoliduara në rajon për sa i përket luftës ndaj informalitetit, duke krijuar premisë të pakundërshtueshme për hapësira dhe lehtësira zhvillimi të mëtejshëm: 80% e produkteve të sigurimit shiten online që nga viti 2006. Kjo nismë është gjeneruar dhe investuar nga vetë industria. Të gjitha produktet e sigurimit që ofrohen aktualisht janë të miratuara dhe të kontrolluara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, institucion tek i cili raportohet online për shitjet e produkteve motorike të detyrueshme dhe në mënyrë periodike për produktet e tjera. Të gjitha transaksionet e aktivitetit të sigurimeve kryhen nëpërmjet bankave të nivelit të dytë.
Tregu i sigurimeve ka përshtatur në veprimtarinë e tij standardet ndërkombëtare të kontabilitetit. Tregu i sigurimeve auditohet nga kompani audituese ndërkombëtare. Tregu i Sigurimeve dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare kanë ngritur edhe regjistrin elektronik të dëmeve për sigurimet e detyrueshme. Kontratat e sigurimit të detyrueshëm janë miratuar dhe njihen si fatura tatimore.

Kërkesat e kompanive të sigurimeve për tatimet:
• Përjashtimi i kompanive të sigurimeve nga detyrimi për t’u pajisur me kasa fiskale, si institucione financiare që ofrojnë shërbim vetëm nëpërmjet rrjetit bankar.
• Njohjen si shpenzim të zbritshëm të komisioneve bankare që kompanitë e sigurimit u paguajnë bankave për arkëtimin e primit të sigurimit.
• Kreditimin e TVSH-së për shpenzimet e industrisë për automjetet, duke i kategorizuar ato si mjete themelore në ushtrimin normal të aktivitetit të tyre.
• Njohjen si shpenzim të zbritshëm të shpenzimeve të sigurimit të jetës apo të shëndetit të punëmarrësve.
• Mosaplikimin e TVSH-së për komisionin e shitjeve të produkteve të sigurimit të jetës, produkte të cilat janë të përjashtuara nga TVSH.
• Konsiderimin gjatë kontrolleve të ushtruara nga tatimet, të detyrimit ligjor për t’u siguruar të klasave të veçanta të biznesit të përcaktuara me ligj apo akte nënligjore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›