Makrokamatat e mikrofinancimeve

Në Kosovë nuk janë vetëm bankat ato që japin kredi me kamata shumë të larta. Në këtë aspekt, hiq nuk ua lëshojnë rrugën institucionet mikrofinanciare. Bile ato janë edhe më keq. Institucionet mikrofinanciare, edhe pse proklamojnë rolin e tyre si mbështetëse të ekonomive familjare dhe bizneseve, japin kredi me kamata që shkojnë deri në 17 për qind. E që janë jashtëzakonisht të larta, ose më të lartat në rajon. Të paktën kështu e ka menduar edhe qytetari nga Prishtina G.N., kur ka shkuar në njërën nga to për të aplikuar për kredi. Mirëpo nuk i ka dalë ashtu siç e ka menduar. Ai thotë se është joshur nga marketingu dhe qasja e tyre për t’iu ndihmuar bizneseve.
“Kredinë e kam marrë, sepse kam menduar se këto i kanë kamatat me të ulëta. Pas kalkulimeve më vonë ka dalë që unë paguaj 17 për qind kamatë”, thotë ky qytetar.
Ndërkaq, në kohën kur janë krijuar, pas luftës, këto institucione janë regjistruar si organizata joqeveritare, për t’u shndërruar më vonë në institucione mikrofinanciare. Sot janë 15 IMF të cilat japin kredi, por nuk kanë të drejtë të pranojnë depozita.
Përkundër rolit të tyre social, IMF`të po japin kredi për klientët me kamata vjetore prej 13 deri 25 për qind. Model për këto kamata janë Institucionet Mikrofinanciare si KEP, Finca etj.
Drejtoresha e institucionit mikrofinanciar “FINCA”, Ella Beavers, thotë se donacionet janë shterur prej kohësh, dhe tani gjithçka varet prej mjeteve financiare që sigurohen prej operacioneve të institucionit. Ajo nuk e pranon se kamatat e IMF`ve janë me të larta se ato që aplikojnë bankat.
“Nëse një bankë reklamon se jep kredi me kamatë nominale 10 për qind në vit, kjo nuk do të thotë aspak se është kostoja e vërtetë e klientit”, tha Beavers.
Madje, ajo thotë se po t’i shtohet kësaj kostoje komisioni, përqindja vjetore për mirëmbajtjen e llogarisë dhe kosto të tjera të fshehura, del që bankat aplikojnë kamata shumë me të larta krahasuar me ato të institucioneve mikrofinancave.
Më tej, ajo duke arsyetuar kamatat e larta, ka thënë se IMF`të nuk e presin klientin te dera, por shkojnë e gjejnë vetë nëpërmjet stafit të tyre, çka rritë koston operacionale.
“Këta dy faktorë ndikojnë në llogaritjen e kostos se kamatave”, tha ajo.
Më 2008, UNMIK-u pat nxjerrë rregulloren për IMF-të, e cila u mundëson atyre vazhdimin për të operuar si organizata joqeveritare, duke ofruar kredi si produkt i vetëm. Megjithatë, me ketë rregullore lejohet transformimi në IMF të licencuara, që u mundëson atyre t’i mobilizojnë depozitat kursimtare dhe të regjistrohen si biznese. Ndërkaq mundësia e fundit është aplikimi për licencë bankare.
“Në mënyrë që të merret licenca për marrjen e depozitave, IMF-të e OJQ-ve do të duhet të transferojnë asetet e tyre dhe potencialisht edhe detyrimet e lidhura me to, në një kompani private me përgjegjësi të kufizuar, ose shoqëri aksionare”, thuhet në një dokument të cilin e ka nënshkruar ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala.
Një sfidë tjetër për këto institucione, thotë ky dokument është ofrimi i produkteve huamarrëse me çmime më të mira për bizneset e vogla dhe ato mikro në Kosovë.
Ekonomisti dhe njohësi i sistemit bankar në Kosovë, Flamur Keqa, thotë se misioni i këtyre institucioneve financiare ka devijuar. Në esencë, thotë Keqa, përkundër ofrimit te shërbimeve për shtresat me pak të sofistikuara ato i kanë ngarkuar me çmime të larta kreditore duke krijuar profite të mëdha.
“Është e çuditshme se si përkundër misionit të tyre për të ndihmuar dhe përkrahur me kredi, shtresat apo grupet me të rrezikuara të shoqërisë, ato japin kredi me norma shumë të larta kamatore”, thotë ai.
Me rastin licencimit, thotë Keqa, këto institucione kanë pasur objektiva të caktuara dhe duhet rishikuar se a u janë përmbajtur atyre. Aq më tepër kur janë themeluar dhe kanë operuar me para të donatorëve.
“Këto institucione janë nën mbikëqyrje të Bankës Qendrore dhe kjo është përgjegjësi tipike e BQK-së”, thotë Keqa.
Ndërkaq Banka Qendrore, e cila i licencon këto institucione, thotë se është treg i lirë dhe se nuk ndërhyn në përcaktimin e kamatave.
“Komponenta e rregullimit të normave të interesit nuk është në mandatin tonë. Kjo realizohet konformë kërkesës dhe ofertës”, tha Besnik Kada, zyrtar për informim në BQK. Duke ia lënë në dorë të gjitha tregut, Kada e pranon se normat ekzistuese vlerësohen të jenë të larta.
Ndërsa, institucioni mikrofinanciar “KEP” është i pari që ka aplikuar në BQK për transformim në bankë. Kjo ka ardhur pasi KEP deri në gushtin e vitit të kaluar ka arritur një portofol të shkëlqyer mbi 43 milionë euro.
“Po, KEP ka aplikuar për bankë, por aplikacioni nuk i ka plotësuar kushtet e kërkuara me kornizë ligjore të BQK-së”, tha Kada.
Mirëpo, Keqa shkon edhe më larg duke thënë se nëse këto institucione nuk mbikëqyren si duhet dhe lejohet që të marrin depozita në mënyrë të pakontrolluar, mund të ndodhë skema e piramidave, siç ishte rasti në Shqipëri.
Megjithëkëtë deri tani institucionet kompetente nuk kanë bërë sa duhet. Është krijuar vetëm një grup punues me përfaqësues nga Banka Qendrore, Ministria e Ekonomisë dhe e Financave, ajo e Administratës Publike, si dhe Asociacioni i Institucioneve Mikrofinanciare. Qëllimi i tij është të lehtësojë transformimin e një numri institucionesh financiare në entitete të rregulluara, që marrin depozita.
Mirëpo të gjitha këto do të përcaktohen në një urdhëresë administrative, e cila do të aprovohet më vonë nga Qeveria e Kosovës.
Drejtoresha e Asociacionit të Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës, Blerta Qerimi, ka thënë se kamatat mbesin të larta për shkak se kjo përcaktohet nga forca e tregut. Gjithashtu, thotë ajo, IMF-të financohen nga kreditë e tyre komerciale dhe nga kredidhënia si produkt i vetëm.
“Me rastin e transformimit të disa IMF`ve, mundësia e tyre për të mobilizuar depozite kursimi nga publiku do t’iu lejojë atyre që më lehtë t’i financojnë produktet dhe në këtë mënyrë zvogëlimin e normave të interesit”, ka thënë Qerimi.
Megjithatë ajo ka pranuar se metodologjia e huadhënies përmes këtyre institucioneve ka një kosto më të lartë. IMF`të financohen nga burimet e huaja. Në anën tjetër, kreditë mikrofinanciare janë të ekspozuara ndaj një norme më të lartë të riskut duke pasur parasysh financimin e fillimit të bizneseve dhe kreditë e vogla të dhëna pa kolateral.
Ekonomistët thonë se tregu financiar në Kosovë është ende i pakonsoliduar, çka u jep mundësinë aktorëve ekonomikë-fianciarë t’i shfrytëzojnë zbraztirat ligjore dhe mosinteresimin e organeve mbikëqyrëse, për të realizuar profite enorme.