E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borxh te Tatimet, 150 tatimpagues

Fier

Në qytetin e Fierit rreth 150 subjekte të biznesit të madh kanë krijuar një borxh të konsiderueshme, duke ndikuar në uljen e të ardhurave nga taksat. Afro 12% e bizneseve i janë shmangur pagesës së taksave, duke krijuar një borxh prej rreth 60 milionë lekë të reja. Sipas drejtorit të degës rajonale të Tatimeve Fier, Agim Isufaj, borxhi është krijuar si pasojë e mosshlyerjes së detyrimeve tatimore për një periudhë të gjatë kohe nga ana e bizneseve. Edhe pse këta të fundit janë lajmëruar, sërish ata nuk u janë drejtuar sporteleve për pagesat e taksave. “Janë me dhjetëra biznese, të cilat nuk kanë shlyer detyrimet tatimore e që sot po bëhen objekt ndëshkimi”, tha ai, i cili përmend një tjetër rast të proceduar penalisht. “Këtu nuk përfshihet borxhi prej 52.4 milionë lekësh, që një subjekt i vetëm i ka degës së Tatimeve. Këtë subjekt ne si degë e kemi proceduar penalisht dhe jemi në fazën e sekuestrimit të aktivitetit”, është shprehur Isufaj. Rënia e treguesve gjatë muajve të fundit e çoi në 95% nivelin e të ardhurave të realizuara nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›