E Diel, 1 Nëntor 2026

Bode: Rritja e çmimit të barnave, abuzive

TIRANE-Vendosja e TVSH-së për barnat, që ka hyrë në fuqi nga data 1 shkurt, u diskutua sot në komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, ku i ftuar ishte ministri i Financave Ridvan Bode mes debateve të depuetetëve të mazhorancës dhe opozitës.
Ministri Bode sqaroi deputetët se vendosja e TVSH-së prej 10 % për barnat ishte e domosdoshme në kushtet kur në treg abuzohej me çmimin.
"Kjo reformë do të shërbejë për rregullimin e tregut, bërjen e tij më konkurrues për të mënjanuar cmimet shpesh abuzive që vendosen përmes hallkave rregullatore në tregun e ilaçeve", tha Bode.

Nga ana e saj, opozita tha se ky vendim prek shtresat me në nevojë të popullsisë siç janë pensionistët dhe të sëmurët.

Sipas Bodes rritja e çmimeve të barnave është bërë në mënyrë abuzive pasi ende nuk ka dhënë ndikim vendosja e TVSH-së . Ai theksoi se "çmimi nga kompania importuese, deri në konsumatorin fundor rritej me 54 %, ndaj kjo situatë nuk mund të tolerohej më". Gjithsesi, bëri të ditur Bode, Ministria e Financave ka parashikuar rimbursimin e konsumatorëve në masën 1 miliardë lekë vetëm përsa i takon aplikimit të TVSH-së.
"Sigurisht që pas 1 shkurtit, të gjitha injektimet e reja që do të bëhen në treg, mbartin 10 % rritje çmimi", tha Bode, duke sqaruar se "nuk do të shkojmë në një rritje të çmimeve në treg për shkak të zbatimit të kësaj mase".
"Ne mendojmë që vlera e ilaçeve në tregun tonë do të vijë duke rënë, për shkak të një kontrolli më të rreptë doganor dhe verifikimit të faturave në tregjet nga ku vijnë furnizimet", tha Bode.
Ai evidentoi efektin negativ që ka dhënë në treg një marzh prej 54 %, që ekziston sipas një vendimi të qeverisë socialiste në vitin 2005 në hallkat e brendshme të tregtimit.
"Nisur nga ky deformim i dukshëm në vendosjen e çmimit të ilaçeve, bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë kemi ngritur grupe për të parë edhe një herë skemën e vendosjes së çmimeve fundorë në tregun tonë të barnave dhe për të propozuar përmirësimin e asaj skeme të vendosur në pranverë të vitit 2005", tha Bode.
Ministri i Financave shtoi se "është misioni i Bankës së Shqipërisë që jo vetëm të mbikqyrë konjukturën e çmimeve por edhe të krijojë politika që sigurojnë stabilitet të çmimeve".
Ndër masat e marra nga qeveria për të ulur efektet e rritjes së çmimit të barnave në buxhetin e konsumatorëve, Bode renditi edhe vendimin e marë në fillim të muajit shkurt për njohjen e shpenzimeve të zbritshme për mjekim, për individët që kanë detyrimin për plotësimin e Deklaratës Personale të të Ardhurave.
"Në këtë vendim është njohur si shpenzimi i zbritshëm për mjekim, shuma vjetore prej 8532 lek për individin, ndërsa për familjen deri në 32.000 lekë. Theksoj se në këto shuma nuk përfshihet pjesa e mbuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor", tha Bode.

Sipas deputetit socialist Erjon Braçes rritja e çmimit të ilaçeve është një krim nga pikpamja humane dhe pikërisht për këtë duhet që të hapet tregu i barnave dhe kompanitë që kanë abuzuar të shkojnë para drejtësisë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›