E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, tregtarët: Kasat fiskale s'i blejmë dot, kushtojnë shumë

SHKODER- Në kryeqendrën e veriut tregtarët e tregut industrial Zdrale deklarojnë se blerja e kasave fiskale është e pabërballueshme, ndërkohë që në vend që do ti ndihmojë për implementimin e një konkurrence normale, do ndikojë në falimentin e tyre.

Tregtarët thonë se çmimi i kasave është shumë i lartë, dhe i papërballueshëm në krahasim me punën që ata bëjnë dhe që mjafton sa për të ushqyer familjet e tyre. Gjithashtu ata shtojnë se bashkia nuk i krijon kushtet optimale për një treg optimal që dhe ata ti plotësojë detyrimet që i kërkon shteti.

“Këtu ka familje që arrijnë të mbijetojnë vetëm duke punuar në këtë treg”- tregon një tregtare, ndërsa një tjetër ankohet se afati është shumë i shkurtër, pasi atyre u duhet të paguajnë bashkinë,taksat, licensën. “Për të blerë kasën unë duhet të marrë borxh, dhe kjo nuk është e normale”- thotë një tregtar tjetër duke kujtuar se ata nuk kanë as paratë për të paguar taksat e tre mujorit.

Sipas Qendrës së Shërbimit për Tatimpaguesit në drejtorinë e Tatim-Taksave në Shkodër nga 4.000 biznese në këtë qytet vetëm 1.500 prej tyre janë pajisur me kasa fiskale.
Tregtarët e tregut më të madh në Shkodër paralajmerojnë zhvillimin e protestave para bashkisë së qytetit në kërkim të të drejtave te tyre. Ndërkohë që tatim taksat paralajmërojnë kontrollet për vendosjen e kasave dhe aplikimin e gjobave për tregtarët që nuk kanë vendosur kasat.

Dje ishte afati i fundit për bizneset e vogla për të blerë kasa fiskale duke përfituar rimbursim nga qeveria.
(s.g/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›