Bode: Shqipëria ka shënuar progres për lirinë ekonomike
"Sipas këtij indeksi të publikuar nga Fondacioni Heritage dhe gazeta "The Wall Street Journal", Shqipëria renditet në vendin e 53-të për nga liria ekonomike, duke marrë 66 pikë dhe vlerësimi i përgjithshëm është mbi mesataren botërore", deklaroi Bode. Ministri i Financave u shpreh se raporti konsideron 10 kritere në vlerësimin për lirinë ekonomike të një vendi: lirinë për punën, biznesin, tregëtinë, lirinë fiskale, shpenzimet qeveritare, lirinë monetare, lirinë për investime, lirinë financiare, të drejtën e pronës dhe lirinë nga korrupsioni. Në raport, sipas ministrit Bode, nënvizohet se me gjithë rënien ekonomike globale, Shqipëria ka qënë në gjendje të mbajë një qëndrueshmëri relativisht të mirë makroekonomike. "Vendi ka vepruar për të përmirësuar klimën e biznesit dhe të investimeve, thuhet në raport", u shpreh ministri i Financave. Sipas tij, pika më e dobët e Shqipërisë në vlerësimin për lirinë ekonomike është korrupsioni. Raporti vlerëson hapat e marra nga qeveria në luftën kundër kësaj dukurie. "Shqipëria vlerësohet të ketë bërë një përmirësim të ndjeshëm nga viti 2007, kryesisht si rezultat i punës së qeverisë përmes Task-Forcës për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin dhe reformës në administrimin e taksave, prokurimeve dhe regjistrimin e biznesit", tha Bode, duke shtuar gjithashtu, se "mbetet ende për të bërë edhe nga institucionet që nuk janë në varësi të qeverisë". Një pikë tjetër e dobët për Shqipërinë që vërehet në raport, sipas Bodes, është kriteri i të drejtës së pronësisë, ku përfshihet edhe sistemi i drejtësisë. "Raporti thotë se mbrojtja e të drejtës së pronësisë është e dobët. Regjistrimi i pasurisë është përmirësuar, por siguria e të drejtës së tokës vazhdon të jetë problem, por vlerëson masat e marra dhe kuadrin ligjor të përmirësuar gjatë vitit që shkoi nga qeveria", vijoi ministri Bode.