E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deficiti, qeveria nuk pranon parashikimin e FMN

Qeveria shqiptare nuk e pranon parashikimin e FMN-së, që e rendit Shqipërinë si vendin me deficitin buxhetor më të lartë në rajon, pasi thotë se shifra 6.3 për qind nuk mban parasysh të ardhurat nga privatizimi. Ajo është një shifër teknike, pasi deficiti real parashikohet të jetë nën 4 për qind, pasi FMN nuk ka parashikuar arkëtimet nga privatizimet, deklaron zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu. Por, ky argument rrëzohet nga ish-zëvendësministrja e Financave, Adriana Berberi, e cila thotë se edhe në vitet e kaluara paratë e privatizimeve nuk janë llogaritur si të ardhura. Të ardhurat nga privatizimi janë pjesë e buxhetit. Në përputhje me standardet e aplikuara, ato janë bërë pjesë e klasifikimit të deficitit, ka pohuar Berberi. Sipas saj, deficiti i rritur buxhetor është një kërcënim jo i vogël për ekonominë dhe pasojat e tij mund ti ndjejnë edhe qytetarët dhe bizneset. Rreziku i parë mund të jetë nga mungesa për plotësimin e deficitit, ka theksuar Berberi. Por, Shehu insiston se qeveria e ka nën kontroll situatën financiare, pasi ka në gjendje 250 milionë euro të ardhura nga privatizimet, të cilat sipas tij jo vetëm garantojnë deficitin, por lejojnë rritje të investimeve. Po te kemi parasysh ecurinë 4 mujore të të ardhurave, ne kemi mundësinë që të rrisim volumin e investimeve. Rasti më i keq do të jetë që ne të ruajmë deficitin në 4%, ka sqaruar Shehu. Në fund të vitit të kaluar, kur u hartua buxheti, FMN këmbënguli fort që qeveria të mos e rriste deficitin mbi 3.5 për qind, si niveli më i përshtatshëm për financat e brishta shqiptare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›