E Diel, 1 Nëntor 2026

Luajnë me çifte dy barinjtë, gjen vdekjen 16-vjeçari

Qëllon pa dashje shokun, 15-vjeçari akuzohet për "vrasje nga pakujdesia"


PEQIN - Ka humbur jetën nga një e shtënë çifteje një bari 16 vjeç në fshatin Drangaj, teksa kulloste bagëtitë me shokun e tij.


Ka qenë pikërisht ky i fundit, një vit më i vogël, që teksa po provonte çiften e ka shkrepur duke i sjellë vdekjen. Ngjarja është regjistruar rreth orës 17:00 të së mërkurës në fshatin Drangaj të komunës Përparim në rrethin e Peqinit. Sipas të dhënave të para, shtetasi K.D. 15 vjeç ka marrë armën në shtëpi për t'ia treguar shokut të tij 16 vjeç, me banim të dy në fshatin Drangaj.


Teksa janë munduar ta montojnë e të fusin fishekët, 15-vjeçarit i është shkrepur arma dhe ka goditur shokun e tij, i cili nuk ka mundur të mbijetojë nga plagët e rënda, por ka gjetur vdekjen.


Aktualisht nga veprimet e para hetimore rezulton se ngjarja është aksidentale. Sipas të dhënave nga policia, në vendin e ngjarjes është bllokuar arma e llojit çifte dhe është shoqëruar 15-vjeçari në komisariatin e policisë Peqin.


Pasi kanë dëgjuar të shtënën, banorët e zonës kanë rendur drejt vendit të ngjarjes. Aty kanë gjetur në fund të jetës njërin prej fëmijëve, ndërsa tjetri ishte duke qarë e bërtitur mbi kokën e tij.


Edhe pse e kanë trasportuar me një mjet të rastit, shoqëruesit kanë parë se për adoleshentin nuk kishte asnjë mundësi dhe rrugës ka humbur jetën. Mësohet se policia ka deklaruar si pistë zyrtare atë të "vrasjes nga pakujdesia", por ende nuk janë përjashtuar pista të tjera. Autori që solli ngjarjen e rëndë, edhe pse 15 vjeç do të përgjigjet për krimin e kryer.


Menjëherë nga hetuesit janë mbedhur si prova arma dhe gëzhoja. Arma është dërguar për verifikim, ndërsa janë mbledhur edhe dëshmi të tjetra. Adoleshenti pritet të merret në pyetje shumë shpejt, pasi aktualisht ka kaluar një tronditje të thellë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›