Kasat fiskale, fundi i muajit, afati i fundit për tatimpaguesit e mëdhenj
Deri në fund të këtij muajit parashikohet që i gjithë biznesi i madh në vendin tonë të pajiset me kasat fiskale. Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, tatimpaguesit, të cilët shesin mallra, prodhime apo kryejnë furnizime të shërbimeve në lokale apo njësi të hapura për publikun, janë të detyruar të përdorin pajisje fiskale për regjistrimin e pagesave me para në dorë dhe të lëshojnë në mënyrë të detyrueshme, kuponin tatimor.
Ekspertë të DPT-së thanë se deri në 31 maj duhet të përfundojë pajisja me kasa fiskale e biznesit të madh në qytetet kryesore Tiranë dhe Durrës dhe pasi të ketë përfunduar procesi për biznesin e madh, do të fillojë edhe pajisja me kasa fiskale e biznesit të vogël. Ata sqarojnë se pajisja me kasa fiskale do të funksionojë normalisht, pavarësisht pretendimeve të biznesit se ka probleme në furnizimin me energji elektrike. Gjatë periudhës kur nuk ka energji elektrike, biznesi do të përdorë metodat alternative si faturat e dorës, apo alternativa të tjera dhe në rastet kur gjatë kontrollit do të gjenden parregullsi, atëherë do të ketë penalizime për biznesin. Vendimi parashikon që brenda periudhës nëntor 2008- maj 2009 të pajisen me kasa fiskale personat e regjistruar për TVSH-në dhe tatimin mbi fitimin, të cilët administrohen nga drejtoria Rajonale Tatimore e Tatimpaguesve të mëdhenj dhe drejtoria rajonale tatimore, Tiranë. Ndërkohë afati i fundit për personat e regjistruar për TVSH-në dhe tatimin mbi fitimin, të cilët administrohen nga drejtoritë e tjera rajonale tatimore është muaji dhjetor 2009.