Bode apel njësive vendore për lehtësimin me pajisjen e kartave
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, njëkohësisht deputet i Korçës, Ridvan Bode, ka bërë apel që qytetarët e rrethit të Korçës të aplikojnë dhe të pajisen me karta identiteti për të marrë pjesë në votime. Ndër të tjera ai bëri me dije se në rrethin e Korçës kanë aplikuar për pajisjen me karta identiteti dhe pasaporta biometrike mbi 43 mijë persona, dhe mbeten ende pa kryer procesin e aplikimit rreth 10 mijë vetë.
Ajo që është më shqetësuese mbetet fakti se në rreth 50 zyra që kryejnë procesin e pajisjes me karta identiteti dhe pasaporta biometrike ka një ngadalësi dhe numër të pakët qytetarësh për të aplikuara, theksoi Bode, duke përmendur si shembull zyrën e aplikimit pranë bashkisë Korçë, ku në një ditë aplikojnë mesatarisht 10-12 qytetarë në ditë. Nëpërmjet kësaj konference për shtyp, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Bode i ka bërë thirrje kësaj bashkie që të krijojë lehtësirat e duhura dhe të mënjanojë procedurat burokratike për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti. Ndërkaq, ai i bëri thirrje edhe opozitës që të mos merret me retorika boshe, por të mobilizojë përkrahësit dhe mbështetësit e vet, për të përkrahur procesin e pajisjes me karta identiteti të qytetarëve. Në fund të fjalës së tij, ai theksoi se dhe një qytetar i vetëm nuk duhet të privohet nga e drejta e tij për të votuar në zgjedhjet e 28 Qershorit dhe për këtë i kërkoi njësive të qeverisjes vendore që të shikojnë me më shumë seriozitet veprimtarinë e zyrave, ku kryhet aplikimi për karta identiteti dhe pasaporta biometrike.