Grosruk, koordinatori special i OSBE, në krye të vëzhguesve
Zv.presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, austriaku Volfgang Grosruk, do të jetë koordinator special i ekipit të përkohshëm të vëzhguesve të OSBE në Shqipëri. Kjo është vendosur gjatë një takimi mes ODHIR dhe OSBE në Varshavë, ku ndër të tjera është shprehur nga ana e tyre edhe vendosmëria për të punuar së bashku për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit në Shqipëri. Pas misionit të ODIHR-it të vendosur në Tiranë edhe OSBE-ja tashmë do të përfaqësohet me koordinatorin e saj të posaçëm për zgjedhjet.
Gjatë takimit mes drejtorit të zyrës së ODIHR, ambasadori Janez Lenarcic dhe zv.presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Volfgang Grosruk është nënvizuar rëndësia që këto zgjedhje kanë për konsolidimin e demokracisë në Shqipëri dhe për integrimin e mëtejshëm të vendit në strukturat europiane. Prandaj bashkëpunimi dhe partneriteti i ngushtë mes ODIHR-it dhe Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, si dhe ai me partnerë të tjerë ndërkombëtarë do të jetë thelbësor për një vlerësim objektiv e të bazuar në fakte. Gjithashtu po gjatë këtij takimi është vendosur nga kryesia e OSBE-së që Grossruck, të jetë koordinator i posaçëm i OSBE-së për një periudhë afat-shkurtër në Shqipëri duke përfshirë edhe përgatitjet për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare shqiptare. Gjatë vizitës së tij, ai mblodhi informacion mbi aktivitetet e ODIHR-it, përfshi përgatitjet për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare. Ky takim mes dy prej misioneve më të rëndësishme të vëzhgimit të zgjedhjeve OSBE dhe ODIHR ka konkluduar se raporti paraprak për zgjedhjet e 28 qershorit do të nxirret vetëm 24 orë pas ditës së zgjedhjeve. Kështu politika shqiptare do ta marrë notën e ndërkombëtarëve në datën 29 qershor ndërkohë që raporti përfundimtar për zgjedhjet do të lëshohet disa javë pas zgjedhjeve. Deri më tani në Shqipëri ka mbërritur një mision i ODIHR që kryesohet nga Audrey Glover dhe ka në përbërje 26 vëzhgues afatgjatë. Vetëm ditën e zgjedhjeve në Shqipëri do të mbërrijnë edhe 400 vëzhgues të tjerë të ODIHR duke i bërë këto zgjedhje një prej më të monitoruarave ndonjëherë në vend. Ndërkohë një delegacion prej katër anëtarësh nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës e drejtuar nga Korien Xhonker nga Holanda do të kryeje një mision parazgjedhor në Tiranë para zgjedhjeve të 28 qershorit. Ky delegacion do të takohet me kryeministrin Berisha, kryetaren e Parlamentit Topalli, ministrin e jashtëm Basha, ministrin e brendshëm, Bujar Nishani dhe krerët e partive politike që marrin pjesë në zgjedhje. Ky delegacion gjithashtu do të zhvillojë bisedime dhe me kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtarë të komitetit Ad Hoc për zbatimin e kodit elektoral dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe medias.