E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohen fakte të reja për ekzistencën e Bylysit

Fakte të reja mbi trashëgiminë tonë kulturore kanë dalë në dritë këto kohë nga gërmimet e ekspeditës së përbashkët shqiptaro-franceze në parkun arkeologjik të Bylisit. Nga ky park, i cili ndodhet 7 kilometra larg qytetit të Ballshit (Fier) ka nxjerrë në dritë fakte të tjera që plotësojnë ekzistencën e kësaj qendre në tre periudha, helenistike, romake dhe të antikitetit të vonë. Këto fakte të reja dolën pas një muaj gërmimesh, ku në fillim u zbulua një tjetër vaskë në punishten e kantinës së verës në qytetin arkeologjik të Bylisit si dhe ambiente të reja në monumentin e Terencianit, ndër të cilat veçohet një kanal që ka shërbyer për evadimin e ujërave, që përshkon këtë monument. Monumenti i Terecianit, i zbuluar një vit më parë është një banesë e periudhës romake dhe, sipas arkeologëve është më e bukura e zbuluar gjatë kësaj periudhe në Bylis. Prof. dr. Bashkim Vreka, drejtor i parkut të Bylisit tregon se mund të ketë ende fakte të tjera për tu zbuluar. Ka ende pjesë të pazbuluara  të monumentit të Terencianit, që mban emrin e pronarit të saj, thekoi ai. Sipas prof. Vrekës objektet e zbuluara në këtë ekspeditë shqiptaro-franceze i përkasin fundit të shekullit të V dhe të VI, të erës sonë. Ai shton se me nxjerrjen në dritë të tyre plotësohen tre periudhat e ekzistencës së Bylisit, periudha helenistike, periudha romake dhe antikiteti i vonë. Ekspedita shqiptaro-franceze nisi në 3 maj dhe objektiv i saj ishte kompletimi i gërmimeve në monumentet  e zbuluara  me qëllim jo vetëm studimin më të plotë të tyre,  por edhe zbulimin e objekteve të reja që do ti shtohen  monumenteve të vizitueshme në qytetin antik të Bylysit. Qyteti antik i Bylisit është një nga qendrat më të rëndësishme arkeologjike të Shqipërisë, renditur për nga vlerat monumentale. Bylisi ka qenë qyteti më i madh ilir në Ilirinë e Jugut dhe ka një pozitë zotëruese mbi kodrat e Mallakastrës dhe mbi luginën e Vjosës. Emri i tij përmendet relativisht vonë nga kronikat e kohës. Në fillim del në trajtën Bylis, në ngjarjet e viteve 49-48 para. Krishtit. kur iu dorëzua Cezarit dhe shërbeu si bazë për furnizimin e ushtrisë së tij. Burimi më i hershëm për Bylisin vjen nga gjeografi grek, Pseudo-Skylaksi dhe daton në vitin 380 para. Krishtit. Bylisi jo vetëm që është një nga qendrat antike më të gërmuara në vendin tonë, por edhe një qendër ku janë kryer restaurime të shumta dhe mjaft domethënëse. Restaurimet që janë kryer në teatrin e qytetit, në shëtitoren dykatëshe, në depozitën e ujit, në termën e Jusitnianit, në bazilika dhe në muret rrethuese helenistik dhe të antikitetit të vonë, kanë rritur në mënyrë të dukshme vlerat e këtyre monumenteve.
 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›