E Diel, 1 Nëntor 2026

Bode e Fullani: Ka abuzim me “euron”

 

Fabiola Çela

Kursi i këmbimit të lekut me euron theu dje një tjetër rekord. Monedha evropiane u këmbye në pikat valutore të kryeqytetit me 138-140 lekë. Shifër e frikshme kjo, po të kihet parasysh vrapi i mbiçmimit gjatë kësaj jave. Ditën e hënë një euro u këmbye me 135 lekë dhe ndryshimi nga dita në ditë, nuk po shikon tendencë ulëse. Por dje Ministri i Financave nga Kuvendi dhe Guvernatori nga takimi me Guvernatorin Turk, dhanë sinjale se ky kurs është provizor dhe abuzues. Krerëve të financave dhe politikës monetare u ndanë nga njëri-tjetri vetëm tek aktorët e këtij abuzimi. Bode i vuri fajin opozitës, ndërsa Fullani agjentëve ekonomikë. Sidoqoftë, të dy menaxhuesit e ekonomisë shqiptare ishin në unisong. Ky kurs këmbimi është provizor, dhe forca e lekut do të rikthehet. Guvernatori dhe ministri korrigjuan deklaratat e Berishës, dhe "kërcënuan" ata që po krijojnë një situatë të tillë paniku: Do të dilni të humbur.
"Faji i opozitës"
Duket pak paradoksale por për Boden, faji i mbiçmimit të euros është i opozitës. Sipas tij, është ndërhyrja e opozitës në manipulimin e opinionit ajo që ka trembur qytetarët dhe ka rritur artificialisht kërkesën për euro. Bode, në deklaratën e tij në Kuvend, korrigjoi edhe Kryeministrin për deklaratën e euroizimit të ekonomisë dhe largimit nga qarkullimi të lekut. Duke folur për sistemin bankar, ministri theksoi se, "tronditja erdhi nga presioni psikologjik, nga segmente të opozitës për një kohë shumë të gjatë ndaj sistemit bankar, dhe që vazhdojnë dhe në ditët e sotme. Ditët e sotme ka një inensifikim të kësaj propagande për të disbalancuar kursin e këmbimit në vendin tonë. Asnjë ndërhyrje e tillë, asnjë përpjekje abuzive nuk mund të ketë sukses, jo për meritën e qeverisë por për meritën e tregut të ekonomisë. Ata mund të disbalancojnë në një moment të caktuar, dhe të gjithë ata që bien në grackën e skenarëve të sajuar, sigurisht që do të mbeten të zhgënjyer dhe do të dalin të humbur". Sipas ministrit, zhbalancimi momental i kursit të këmbimit nuk reflekton tendencën e ekonomisë reale në Shqipëri.
Korrigjimi i Berishës
"Ditët e fundit ky presion psikologjik mbi konsumatorin dhe qytetarët është ndërmarrë edhe për t'ju kundërvënë apo duke abuzuar me një deklaratë të Kryeministrit, se Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit bëjnë mirë të adoptojnë Euron si monedhë të vendeve të tyre. Ky është një proces i gjatë që ka të bëjë me përpjekjet që bën Shqipëria dhe vende të tjera për t'u integruar në Bashkimin Evropian. Sigurisht, kur të jemi pjesë e Evropës do të marrim edhe monedhën evropiane. Tashmë ne jemi një vend aspirant. Do të jemi shpejt një vend kandidat, por procesi i zëvendësimit të monedhës sonë kombëtare, "Lekut" me "Euron", do të jetë shumë i gjatë". Me këtë fjali, Ministri i Financave ka dashur të informojë qytetarët se ndryshimi i monedhës nuk ka gjasa të ndodhë shpejt, dhe se do të jetë leku monedha shqiptare edhe për shumë kohë. Nga ana tjetër, Bode korrigjoi edhe Berishën, pas fjalimit të të cilit, u krijua opinioni se shpejt Shqipëria do të punojë me euro dhe jo me lekë. Duhet theksuar se fill pas kësaj deklarate të një jave më parë, leku ka humbur gati 5 lekë ndaj euros.
"Situata, mashtrim"
Bode ka insistuar se gjithçka po ndodh me kursin e këmbimit është një mashtrim. Ai ka dhënë garanci se kursi i këmbimit shumë shpejt do t'i rikthehet normalitetit. "Unë i ftoj të gjithë qytetarët shqiptarë të besojnë te Leku, sepse është monedha jonë dhe ajo është monedhë e qëndrueshme, monedha më e qëndrueshme në rajon. Unë jam i bindur që përpjekjet e atyre që kërkojnë të përfitojnë nga deklaratat dhe që të mos të përfitojnë nga mosnjohja e proceseve të konvertimit dhe të integrimit të Shqipërisë në Eurozonë, të mund të destabilizojnë, qoftë edhe momentalisht tregun, çka do të jetë, sigurisht, një kosto shtesë që do ta paguajnë ata që do të bëhen pre e mashtrimit momental të propagandës që bëhet nga qarqe të caktuara, që nuk kanë të bëjnë me interesat tonë kombëtare".
Fullani: Ka abuzim
Për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, të humburit nga shtrenjtimi artificial i euros, do të jenë pikërisht ata që sot po abuzojnë me tregun. Duke komentuar lëvizjen e kursit të këmbimit gjatë këtyre ditëve, Fullani ka treguar se e gjithë kjo lëvizje është abuzive dhe jo reale. "Të gjithë reagimet e nxituara afatshkurtra, siç është demonstruar disa herë gjatë këtij viti dhe më së afërti gjatë ditëve të para të kësaj jave, kanë kosto financiare individuale për ata që i ndërmarrin dhe kosto financiare për ekonominë. Asnjë agjent ekonomik nuk është më i fortë se fondamentet. Volatiliteti i lartë dhe pasiguria në tregun valutor nuk kanë asnjë bazë reale". Guvernatori ka korrigjuar në distancë edhe keqkuptimet me deklaratën e Berishës. Sipas tij, leku do të vazhdojë të jetë monedha e ekonomisë së vendit, edhe për shumë kohë. "Leku për Shqipërinë ka qenë, është dhe do të mbetet një monedhë e suksesshme. Është monedha që shërben si spirancë për të gjithë iniciativat tona evropiane. Në 17 vitet e fundit leku ka ditur t'i bëjë ballë presioneve inflacioniste dhe presioneve të tregjeve të huaja. Leku duhet lënë i qetë. Ai duhet të lëvizë i lirshëm në udhën e tij, në përputhje me kërkesën dhe ofertën. Leku është ikona e ekonomisë shqiptare, e cila do të na shoqërojë deri në portat Evropiane".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›