E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano: Unë, kryetar Bashkie ose President

 

Ish-kryetari socialist, Fatos Nano, në një intervistë në emisionin “Opinion” me gazetarin Blendi Fevziu në Tv Klan, akuzoi Edi Ramën se përmes njerëzve që kishin llogari me drejtësinë, e kanë kërcënuar me jetë për ta lënë të qetë në pushtetin që ai ka. Nano i ka bërë thirrje socialistëve të votojnë “Jo bojkotit!” në zgjedhjet për kryetarin e PS-së ditën e shtunë, ndërsa u shpreh se do të vihet përballë Edi Ramës në të gjitha garat, si për Bashkinë e Tiranës, ashtu dhe për Presidentin e ardhshëm.
Nga mënyra si i keni ndjekur zgjedhjet, a i ka humbur PS-ja zgjedhjet?
Sigurisht që opozita i humbi zgjedhjet dhe patën atë rezultat që pritej, një gjysmë fitore të koalicionit kryesor që arriti në kufijtë e 70 mandateve që nuk arriti të bënte qeverinë dhe të krijimit të një koalicioni më të gjerë qeverisës nga ç’ishim mësuar në koalicionet tradicionale. Opozita ka humbur, humbësi kryesor është PS-ja. Ky nuk është një zhvillim që e dëshironte shumica e shoqërisë, por është koha e analizave.
Kush e ka përgjegjësinë?
Përgjegjësia është hierarkike, është politike, e lidhur me vijën, udhëheqjen dhe organizimin që Rama në krye të PS-së i imponoi PS dhe ballafaqimit të saj me kundërshtarët.
Përse e majta nuk rigrupohet në një familje?
Ka disa shkaqe që nuk lidhen më me fushat elektrike që janë krijuar mes liderëve të së majtës, por janë ngritur mbi konceptet e ndryshme politike apo të marrëdhënieve me pushtetin, që kanë të bëjnë bie fjala Rama apo Meta, lidhen me grupime interesash dhe përfaqësuesish të grupeve të interesit jo vetëm në treg, por dhe në politikë, lidhen me deformimin e karakterit dhe funksionimin e partive politike. Ka qenë shumë më e hapur PS-ja në kontrollin mbi të zgjedhurit përpara “ciklit Rama” siç e quajti Majko, që i jepte mundësi të jetonin edhe grupimet politike të dala prej saj dhe ato brenda saj.
Zoti Majko tha se u mbyll cikli i zotit Nano dhe u hap cikli Rama...?
Të vazhdojmë të themi gjëra serioze, zoti Majko kështu është, e njohin të gjithë, nuk thotë ato që mendon.
Ç’do të thotë, nuk thotë ato që mendon?
Edhe ju e patë që po bënte interpretin e dikujt tjetër. Dhe meqenëse nuk thotë ato që mendon, as vetë nuk i mban mend se çfarë thotë. Ta pyesësh Majkon se çfarë tha mbrëmë, e ka të vështirë të argumentojë, ose nuk i kupton ato që thotë.
Zoti Majko ka qenë dy herë kryeministër i Shqipërisë...
Më lejoni të arsyetoj jo për të gjitha incidentet e socialistëve. Për çfarë ciklesh flet zoti Majko, se mbaruan periodat e mia dhe filluan periodat e Ramës?! Apo Majko gjeti që fusha biologjike e tij përputhet me periodat e Ramës. U mbyll cikli i politikanëve profesionistë apo cikli i reformatorëve që e çuan PS në Internacionales Socialiste? U mbyll cikli i parimeve dhe idealeve dhe u hap cikli i ndërtuar mbi parime dhe u hap cikli i interesave dhe i blerjes së përfaqësuesve mbi bazën e përfaqësuesve të interesit?! Formula e zotit Majko nuk ka asnjë logjikë për t’u arsyetuar. Mund të dëgjojmë dhe broçkulla të tjera.
Ç’duhet të bënte Rama pas humbjes?
Duhet të respektonte precedentin. Duhet të jepte dorëheqjen e parevokueshme.
Duhet të niste zoti Rama pushime?
Zoti Rama si dhe zoti Berisha bëhen të padukshëm kur bëjnë pushime. E kemi dënuar vetë që prej ‘98 të qëndrojë në zyrat e shtetit.
I ka fituar postet e tij...
Në vitin 2000 pa mbështetjen e PS-së dhe timen zoti Rama nuk fitonte dot Bashkinë e Tiranës. Ne kemi treguar se mund të krijojmë disa ministra e kryeministra dhe jo të mos krijonim një kryetar bashkie.
Ju e keni quajtur si modelin e socialistëve?
Brenda familjes duhet t’i bësh hyzmetin partnerit tënd në qeverisjen qendrore dhe lokale. Ai ka qenë partner deri ditën që pushtetin që ne i dhamë e vërviti kundër familjes së vet.
Ka ekzistuar një opinion se ju mund të kandidoni për kryetar Bashkie të Tiranës?
Çdo gjë është e mundshme, për të garuar në të gjitha vendet e zgjedhjeve të ardhshme.
Nuk i trembeni zotit Rama?
Nuk i kam ndërtuar marrëdhëniet mbi bazën e frikës apo të skemave dhe intrigave që eliminojnë frikën dhe krijojnë flirtin.
Kush do t’ju kandidonte zoti Meta apo zoti Berisha?
Më lejoni të them se më vjen shumë keq, më dhimbset se aventurizmi i këtij masoni të pasuruar, Edvin Ramës në Shqipëri dhe në PS nuk po ndalet gjëkundi. Nuk është fjala për veprime të paligjshme, nga të cilat duhet ndalur ky aventurier, por është fjala për një mjedis dhe shoqëri demokratike, ku nuk të lejohet të sillesh në këtë mënyrë as pushtetin e bashkisë, as me pushtetin politik, as me pushtetin e vendimmarrjes në fushën e shërbimeve dhe ndërtimeve apo të përdorimit të buxhetit partiak, as në fushën e kontakteve shpesh të padukshme me botën e nëndheshme.
...Keni informacione ju për këto?
I kam të gjitha informacionet që hajduti bërtet kapni hajdutin, sepse një numër i konsiderueshëm personash në kërkim kanë qenë në stafet e ngushta operative të fushatës të zotit Rama.
Kush janë këta persona?
Ditën që iu përgjigjëm me shumë sinqeritet njëri-tjetrit Metës për bashkimin e së majtës, një javë para zgjedhjeve, në orët e vogla të asaj nate, kam marrë mesazhe kërcënuese për jetën, ku thuhej se “ju të dy, të bukrit e shejtanit, po vazhduat të kërcënoni Ramën në fatin e tij politik, do ta paguani me jetën”. Këtë mesazh unë e kam denoncuar në organet kompetente. Me të gjitha kontaktet që nuk më mungojnë, sepse një politikan karriere nuk është një jetim në mes të xhunglës, kam arritur të verifikoj se nga vinin dhe si përdoreshin këto kërcënime dhe se nga kush bëheshin.
Dhe ishin njerëz nga afër Ramës?
Ishin njerëz pranë Ramës dhe nga ata më të famshmit që janë shfaqur në incidentet e kohëve të fundit.   
Ç’doni të thoni me këtë zoti Nano?
Atë që thashë dhe dua ta lë këtu. Dua të them që një parti e madhe, anëtare e Internacionales Socialiste, si ka mundësi që nuk po arrin ta ndalë aventurizmin e Ramës. Si është e mundur që një klasë politike nuk po arrin të ndalë talljen që po bën Rama me mekanizmat demokratike të shoqërisë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve?! Si është e mundur që askush nuk po i del përballë këtij njeriu?! Nëse kjo është e vërtetë, unë jam këtu për t’i dalë përballë këtij njeriu në bashki, në presidencë për të normalizuar situatën në Shqipëri. Jam gati të përballem me zotin Rama dhe me cilindo të shpurës së tij.
Zoti Rama thotë se votat janë vjedhur?
Pas certifikimit të zgjedhjeve nga vëzhguesit vendas dhe të huaj, ku dominon fakti se nuk ka prova për manipulim të votave, unë besoj se nuk është as vendi dhe as koha për klasën politike që të mburret me numrin më të madh të deputetëve që janë marrë. Pasi zgjedhjet certifikohen duhet të pranosh rezultatin, të vish me vrap të betohesh, sepse je votuar dhe të nisësh debatin mes pozitës dhe opozitës.
Por janë vënë disa kushte nga opozita?
Unë nuk besoj se kushtet janë të qarta, madje çdo përfaqësues i PS-së në studiot mediatike ku shkojnë, fut dhe ndonjë kusht nga vetja.
Zoti Majko tha se do bëhen dhe protesta?
Po lerë tani me shakatë e Majkos, ti mendon se i shkon njeri Majkos dhe Ramës prapa në protesta. Jemi në vitin 2009, kur bota e madhe ku po integrohemi nuk ka asnjë hapësirë dhe asnjë vëmendje ndaj protestave që nuk njohin rezultatet e zgjedhjeve të certifikuara nga institucionet demokratike. Kjo është një aventurë e dështuar, sepse njoh, më ka rritur dhe jam edukuar me PS-në, sepse kjo është aventurë e dështuar e destinuar të përfundojë shpejt dhe unë do vazhdoj të punoj, madje do i bëj thirrje që sonte të gjithë anëtarëve të PS-së, që në 26 shtator, mbi fletët e lakrorit që ka gatuar Rama për rizgjedhjen si kryetar, me gjithë respektin që kam për Maqon, të shënojnë me germa kapitale “Jo bojkotit!” Unë kam besim tek guximi dhe kurajoja për ta bërë këtë gjë. Pra, nuk është koha të bësh farsa elektorale, por për të marrë përgjegjësitë që 65 deputetë morën votat e popullit.
Ata kanë thënë se do bëjnë opozitë të fortë dhe deri në protesta...?
Po flasim për një epokë moderne dhe jo të Haxhi Qamilit. Po flasim për debat dhe ballafaqim sipas Kushtetutës në Parlament. Tani ra dhe alibia e shqiptarëve dhe ballkanasve që në çdo ndeshje arbitri është me ata. Pra u dëgjuan dhe zërat e arbitrave ndërkombëtarë dhe ndërkohë që në axhendën e reformave të vendit ka detyra shumë të mëdha, nuk duhet të harxhojmë kohë duke dëgjuar ankthet e një grupi eunukësh në lidershipin e sotëm PS.
Kush janë eunukët e PS?
Kemi një grup eunukësh që jo vetëm nuk pranojnë rezultatin, por nuk lëshojnë dhe pushtetin, të cilëve u kanë shteruar idealet, principet. Janë i gjithë grupi i vjetër dhe i ri rreth Ramës. Janë Ruçi, Dokle apo dhe zoti Majko që ishte mbrëmë këtu, që janë lidhur pas pushtetit të Edi Ramës. Ata po e mbajnë të mbyllur dhe të pakontrolluar nga institucionet dhe zgjedhësit pushtetin e tyre. Ata nuk kanë qenë miqtë e mi, ata kanë qenë partnerë dhe drejtues me detyra të përcaktuara për aq kohë sa unë drejtoja PS. Sjellja e tyre në PS jo vetëm nuk po sjell rikthimin e PS në pushtet, por po sjell degradimin e institucioneve të saj, saqë PS po bëhet jo besuese në sytë e shqiptarëve.
Përse ai mbështetet nga zoti Ruçi, Dokle që janë pjesë e PS?
Ju po thoni se në demokraci pas një lufte disa duhet të trajtohen si pashallarë. Ata janë të papjekur dhe fakti që për këtë është sjellja e sotme, bojkoti i Kuvendit, mosnjohja e rezultatit dhe po sjell mbylljen e PS dhe përçudnimin e saj ndaj publikut. Emra si këta nuk kanë asnjë test tjetër me publikun, përveçse certifikimin ose mohimin e jetës demokratike. Shembulli i demokracisë sot është të imitosh Berishën e parë të dështuar.
Ka një grupim brenda PS-së që nuk po arrin ta pengojë zotin Rama në revanshin e tij. Do jeni ju i gatshëm të përballeni me zotin Rama, pavarësisht se ku do të jetë kjo përballje në bashki, presidencë apo kudo tjetër?
Absolutisht po, në të gjitha nivelet ku do të jetë i nevojshëm kontributi im për të ndalur aventurierin Rama.
Profesorët e vjetër të ‘91 në PS, ju, zoti Lakrori, zoti Bufi, Meidani etj. Sot jeni jashtë vendimmarrjes së PS-së, ndërsa militantët e saj Ruçi, Dokle janë në pushtet në PS?
Kjo është e pashpjegueshme. Kjo është prova dhe shfaqja më e kapshme e degradimit të madh që ka ndodhur në PS dhe në udhëheqjen e saj. Nuk janë arsye politike këto që çojnë në përjashtime të tilla. Sjellja në ato vite në politikë e këtyre militantëve ishte e gabuar, por në këto vite ata u stërvitën dhe u rritën. Blushi nga zëdhënës i imi ai shkoi prefekt i Korçës. Më pas u bë ministër i suksesshëm. Merrni Islamin, Malajn, Bellon, Harasanin, merrni Meksin, Meidanin, Bufin. Të gjithë këta janë jashtë liste. Kjo tregon se nuk premton asgjë të mirë klima ekzistuese nëse nuk rivendoset ajo klimë demokratike që e forcoi dhe rriti këtë parti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›