E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pagat, ish-punonjësit e ARMO takojnë Priftin

 

Pas privatizimit të kompanisë "Armo", disa prej punonjësve janë larguar prej vendeve të tyre të punës, ç'ka ka ngjallur edhe pakënaqësinë e tyre. Lidhur me këtë problem, ata kanë zhvilluar dje një takim me ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti. Ministri i ri i METE-s u ka premtuar se brenda dy javëve ish-punonjësve të ARMO-s do t'u kthehet një përgjigje për problemet e tyre. Sipas një deklarate për media të ministrisë, gjatë takimit të djeshëm përfaqësuesit e rreth 700 ish-punonjësve parashtruan shqetësimin e mospagesës së pagës së disa muajve dhe vjetërsisë në punë, detyrim ky i përcaktuar në marrëveshjen për privatizimin e shoqërisë dhe vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave. Gjithashtu ata i kërkuan ministrit ndërhyrjen pranë pronarëve të shoqërisë ARMO, duke shprehur besimin e plotë në zgjidhjen sa më të shpejtë të çështjes. Pas kësaj ministri Prifti kërkoi nga stafi përgjegjës i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës informacion mbi detyrimet midis palëve në kontratën e privatizimit dhe u premtoi përfaqësuesve të ish-punonjësve kthimin e përgjigjes brenda dy javëve. Një vit më parë privatizimi i kompanisë "Armo" u krye përmes një tenderi ndërkombëtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›