PR: Protesta e opozitës, antiligjore dhe imorale
Partia Republikane fton deputetët e opozitës në një dialog politik dhe institucional brenda kuadrit ligjor në Kuvend. Nënkryetari i PR-së, Alfred Deshati, komentoi edhe protestën e opozitës si antiligjore, por edhe imorale. "Ishte protesta e një opozite humbëse, që pasi dha konsensusin e saj për të miratuar kodin elektoral, tani përpiqet të dalë mbi gjykatat dhe organet e tjera kushtetuese të shtetit shqiptar duke shprehur mesazhe të rrezikshme konfliktualiteti dhe destabiliteti", tha Deshati. Sipas tij, "ne nuk duhet të harrojmë historinë, dhe as të biem pre e grupimeve dhe lobimeve të errëta, që kërkojnë pengimin e reformave demokratike dhe lënien e Shqipërisë jashtë familjes europiane". Nënkryetari i republikanëve, Deshati, tha se "Shqipëria po ecën në rrugën e drejtë dhe do të vazhdojë të bëjë të gjitha përpjekjet e saj për integrim, mirëqenie dhe demokraci, me ose pa dëshirën e Edi Ramës, me ose pa mbështetjen e atyre që sot po u kundërvihen reformave demokratike".