Bode kundër FMN: Do të vazhdojnë stimujt fiskalë
Qeveria ka vendosur që të vazhdojë me stimujt fiskalë edhe vitin e ardhshëm, ndryshe nga çka kishte rekomanduar FMN. Sipas kreut të Ministrisë së Financave pagat dhe pensionet në 2010 do të rriten sërish. Gjatë konferencës së kryetarëve të zhvilluar dje ministri Ridvan Bode ka sqaruar në detaje të gjithë projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.
Projektbuxheti
Ridvan Bode tha se projektbuxheti për vitin 2010 është 600 milionë dollarë më shumë në krahasim me vitin që po lëmë pas. “Janë rritur të ardhurat fiskale. Përparësi do të kenë investimet publike, ndërsa nuk do të ketë rritje të taksave”, deklaroi Bode. Sipas tij, projektbuxheti i 2010 është tërësisht realist. “Buxheti është tërësisht i realizueshëm, pasi sot Shqipëria ka një rritje ekonomike, të paktën 3 herë më të lartë nga vendi me rritjen më të madhe në Evrope”, deklaroi Bode. Sipas tij, Shqipëria nuk u prek nga kriza ekonomike dhe kjo i lejon Qeverisë që të rrisë sërish pagat dhe pensionet, pa përkeqësuar treguesin e borxhit publik. “Në 2010 një sërë vendesh të rajonit dhe më gjerë do të kenë rritje të mëtejshme të deficitit dhe borxhit publik. Në 2010-ën parashikohet një rritje e pagave dhe ulje e deficitit vjetor dhe borxhit publik”, është shprehur Bode. Ndryshe nga sa kishte rekomanduar FMN, Bode ka deklaruar se stimujt fiskale do të vazhdojnë edhe vitin e ardhshëm. Sipas tij, rritja e programuar e të ardhurave do i lejojë qeverisë që të vazhdojë të mbajë stimujt fiskalë për të mbështetur rritjen ekonomike. Ndihma ekonomike do të jetë 14 % më e lartë, ndërsa rritja e pagave do të variojë nga 7 deri në 10% dhe ajo e pensioneve nga 4 në 10 %. Sipas tij, një pjesë e mirë e buxhetit është parashikuar për reformën në shëndetësi. “Është një reformë që duhej filluar ajo mbi fondin e ndihmës sociale. Absolutisht janë prioritare shëndetësia, arsimi dhe bujqësia dhe unë dua t’ju jap mirëkuptimin më të madh për uljen e shpenzimeve administrative për të bërë të mundur vazhdimin e rritjes së pensioneve, rrogave, vazhdimin e mbështetjes së shërbimeve dhe të fondeve në shëndetësi dhe në arsim”, është shprehur dje kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli. Totali i të ardhurave në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm parashikohet të jetë 360.9 miliardë lekë me një rritje prej 10.6 për qind kundrejt buxhetit të rishikuar të vitit 2009. Nga ku të ardhurat nga tatimet dhe doganat parashikohen të jenë 246 miliardë lekë me një rritje prej 10.5 për qind krahasuar me vitin 2009. Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore parashikohen në 60.3 miliardë lekë me një rritje prej 10 për qind krahasuar me vitin 2009. Parashikimi për të ardhurat e pushtetit lokal për vitin 2010 është 10.9 miliardë lekë me një rritje prej 13.8 për qind krahasuar me vitin 2009. Të ardhurat jotatimore parashikohen në 24.5 miliardë lekë. Rritja ekonomike reale parashikohet të jetë 6.5 për qind. Norma e inflacionit dhe deflatori i PBB-së do të jenë 3.0 për qind dhe 2.9 për qind. Për vitin e ardhshëm është parashikuar rritja nominale e importeve të mallrave të jetë 7.2 për qind ne vlerë CIF përfshirë edhe efektin e kursit të këmbimit.