E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode kundër biznesit të madh: Po na mashtrojnë

Shumë prej bizneseve të mëdha nuk paguajnë taksat në bazë të xhiros, duke i shkaktuar kështu një dëm të konsiderueshëm buxhetit të shtetit. 

Fabiola Çela

Deklarata është bërë nga vetë kreu i Ministrisë së Financave, Bode, gjatë analizës së 6-mujorit të parë të administratës tatimore. Në qendër të kritikave të ministrit kanë qenë kompanitë eksportuese të minierave. "Në 2007-ën janë arkëtuar vetëm 90 milionë lekë rentë minerare, kur nga Shqipëria dalin me mijëra tonë krom, hekur, naftë dhe minerale të tjera të rralla dhe ne bëjmë sehir dhe askush nuk merr përsipër të evidentojë vlerën e vërtetë të këtyre eksporteve", ka thënë ministri. Madje, sipas tij, pranohet edhe ajo çka thonë bizneset, se nafta në eksport është me 30 euro kur në bursën ndërkombëtare ka shkuar me 130 dollarë. "Mendoj se rritja e vëmendjes ndaj çdo lloj aktiviteti apo industrie nuk mund të fshihet pas rezultateve globale që kemi arritur në administratën tatimore", ka theksuar ministri i Financave.
Tatimet
Gjashtëmujori i parë i këtij viti duket se ka qenë goxha i mbarë për administratën tatimore. "Këtë 6-mujor të ardhurat janë realizuar në shumën 70.6 miliardë lekë, nga 66.4 miliardë lekë të programuara ose në masën 106.3%, pra janë arkëtuar 4.2 miliardë lekë më shumë se programi", ka thënë dje Arben Sefgjini. Ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, janë arkëtuar në buxhetin e shtetit rreth 12.8 miliardë lekë më shumë (rreth 160 milionë USD më shumë) ose në masën 122.1%. "Një tregues i rëndësishëm është rimbursimi faktik i paguar tatimpaguesve në këtë periudhë në shumën 854 milionë lekë, ku krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007, që ishte në shumën 521 milionë lekë, rezulton se në këtë periudhë janë rimbursuar më tepër se 309 milionë lekë, ose në masën 164%", ka vënë në dukje drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve.
Buxheti
Për të tretin vit radhazi, qeveria ka hartuar një buxhet suplementar në mes të vitit. Sipas kreut të Financave, një gjë e tillë është arritur nga tejkalimi i të ardhurave tatimore dhe asaj doganore. Sot ministri i Financave pritet që të prezantojë buxhetin suplementar përpara deputetëve të Komisionit parlamentar të Ekonomisë. Në total buxheti suplementar arrin shifrën e 20 miliardë lekëve, ku pjesa më madhe e këtyre parave janë destinuar për rrugët. Gati 12 miliardë lekë do të përdoren për investime në infrastrukturë. Si gjithmonë pjesën e luanit nga ky fond do ta marrë rruga Durrës-Kukës-Morinë. Ndërkaq gati 2 miliardë lekë do t'i jepen qeverisë vendore, kurse 6 miliardë do të përdoren për uljen e deficitit buxhetor. Deri në fund të vitit, deficiti buxhetor është parashikuar të ulet deri në nivelin e 5.1 për qind, nga 7.9 për qind që është aktualisht. Ulja e deficitit buxhetor është një nga detyrat e lënë nga ndërkombëtarët për qeverinë shqiptare. Ndërkohë për sa i përket privatizimit të kompanisë së naftës "Armo", gjysma e të ardhurave që janë arkëtuar nga shitja e kësaj kompanie do të shkojnë për investime, ndërsa pjesa tjetër për uljen e borxhit.

Zgjidhen firmat, gati vendosja e kasave për biznesin e vogël

Së shpejti pritet të nisë vendosja e kasave regjistruese për biznesin. Me vendosjen e këtyre kasave çdo shitblerje do të jetë e regjistruar në serverat e administratës tatimore. Me vendosjen e kasave qeveria shpreson t'i japë fund një herë e mirë mosdeklarimit real të shitjeve nga ana e biznesit. Kreu i Financave, Ridvan Bode, i ka kërkuar dje administratës tatimore përshpejtimin e procedurave për të implementuar marrëveshjen me 5 kompanitë që kanë fituar kontratën për vendosjen e kasave fiskale, në një afat sa më të shkurtër. "Ne kemi në proces implementimin e pajisjeve elektronike fiskale, i cili do të përshpejtojë procedurat për të zbatuar marrëveshjen me 5 kompanitë që kanë fituar zbatimin e kasave fiskale në një afat sa më të shkurtër, për të bërë të mundur që xhiro të evidentohet në mënyrë elektronike on-line dhe çdo transaksion të jetë në serverat e tatimeve", ka deklaruar ministri. Sipas tij, kjo përbën një tjetër mundësi për të mënjanuar edhe ato pjesë të ekonomisë informale që mbeten të frymëzuara nga shpresa që janë të shuara përgjithmonë në ekonominë shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›