IFC e BERZH, 100 milionë euro për nxjerrjen e naftës
Kompania kanadeze e naftës “Bankers Petroleum”, përmes një ceremonie të veçantë ka kryer dje pasdite aktin e marrëveshjes financiare prej 110 milionë dollarësh me dy nga institucionet financiare më prestigjioze në botë, IFC dhe BERZH. Bëhet me dijeni se 100 milionë dollarë prej tyre do të përdoren për planet e zhvillimit të “Bankers” në fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, ndërsa 10 milionë dollarët e tjerë do të përdoren për pastrimin dhe përmirësimin mjedisor të kësaj fushe. Të pranishëm në këtë ceremoni përveç përfaqësuesve më të lartë të “Bankers”, IFC dhe BERZH ishin dhe zv.kryeministri Ilir Meta, ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, dhe personalitete të tjera nga fusha e ekonomisë vendase. Ministri Prifti ka vlerësuar marrëveshjen e nënshkruar dje, si mundësi zhvillimi për sektorin e naftës në vend.