Prostituta vrasëse

Një prostitutë e një tutor vranë berberin e burgut. 57-vjeçari u josh që të kryente marrëdhënie seksuale me prostitutën 37 vjeçe, pranë ish-ambasadës jugosllave, ndërsa më pas gjeti vdekjen me mjete të forta në kokë, për shkak se i rezistoi grabitjes
TIRANË - Një prostitutë dhe tutori i saj dyshohet se janë autorët e vrasjes së berberit të njohur të qytetit të Durrësit, 57-vjeçarit Gëzim Shullani. Viktima mendohet se u vra, pasi prostituta dhe tutori i saj tentuan ta grabisin, por hasën në rezistencë. Policia e kryeqytetit mundi të prangosë mbrëmjen e së martës, pas tri javësh hetime, Petrit Lazajn, 38 vjeç, lindur e banues në Dhëmblan të Tepelenës, si dhe Albana Zenelajn, 37 vjeçe, nga Vlora. Bëhet me dije se ata u arrestuan pranë Stacionit të Trenit në Tiranë. Ndërkaq, nga burimet zyrtare mësohet se Lazaj ishte tutori i Zenelajt, e cila ushtronte prostitucion në kryeqytet.
Ngjarja
Emri i Petrit Lazajt nuk ishte i panjohur për policinë, duke qenë se ai është person i shpallur në kërkim nga Gjykata e Beratit, për veprën penale të “vjedhjes” dhe “vjedhjes me armë”. Specialistët e Seksionit të Krimit Kundër Jetës po hetonin që nga dita e ngjarjes, më 3 mars 2008, pistën e grabitjes, por gjatë hetimeve duket se dolën në dritë shumë fakte të reja. Mësohet se pasi e kishin nxituar Shullanin për të hyrë në ambientet e braktisura të ish-ambasadës jugosllave, me qëllim kryerjen e marrëdhënieve seksuale me 37-vjeçaren Albana Zenelaj, ata kishin tentuar ta grabisnin viktimën. Kjo nuk ishte hera e parë që të dy “miqtë” bënin punë të tilla. Të njëjtat burime bënë të ditur se Lazaj shfrytëzonte në Tiranë për qëllime përfitimi Zenelajn, e cila prostituonte kundrejt një shume të caktuar parash, duke grabitur njëherazi klientët e saj, e ndihmuar nga tutori. Edhe me Shullanin kishin planifikuar të bënin të njëjtën gjë, pra pasi të kryente marrëdhënie me prostitutën, ishte parashikuar që edhe të grabitej. Por burime konfidenciale pranë grupit hetimor saktësuan për “Korrierin”, se tentativa e grabitjes solli edhe rezistencën e viktimës. Të vënë përpara këtij fakti, Lazaj dhe Zenelaj në bashkëpunim me njëri-tjetrin arritën që t’i marrin nëpërmjet dhunës sendet personale dhe shumën e parave prej 4 000 lekësh. Më pas e qëlluan me mjete të forta në kokë, duke e lënë të vdekur në vend. Viktima Shullani u gjet i pajetë nga kalimtarë të rastit dhe identifikimi i tij u bë i mundur pas shumë orësh, pasi kufoma ishte e përçudnuar nga goditjet e shumta që kishte marrë në kafkë. Ndërkohë, mësohet se Lazaj ishte person i shpallur në kërkim nga Gjykata e Beratit, e cila më 14 dhjetor 2007 e ka dënuar në mungesë me 6 muaj burg për veprën penale të “vjedhjes me armë”.