Dëshmia e punëtores

"Si i lanim me nafte predhat e çmontuara. Si punonim per te mbijetuar sa per te blere nje thes me miell"
Flet Hike Biçaku, 38 vjeçe, kunata e Shqipe Alhasës, njërës nga dy të humburat e tragjedisë së Gërdecit. Rrëfen si pastroheshin predhat e çmontuara me naftë e më pas shpëlaheshin me ujë. Si punonte për të mbijetuar, sa për të blerë një thes me miell që të ushqente dy fëmijët e saj jetimë e si i shpëtoi vdekjes.
-Prej sa kohësh punonit në fabrikën e çmontimit të armëve në Gërdec?
“Kisha nisur punë vetëm 10 ditë para se të ndodhte shpërthimi”.
-Si e gjetët punën?
“U interesova vetë. Shkova aty e kërkova punë”.
Me cilin person keni kontaktuar?
“Ditën që shkova të kërkoj punë, fola me personin që ishte caktuar si përgjegjës. Vangjel e quajnë”.
-E cila ishte puna juaj aty?
“Të laja predhat”.
-Mund të na tregosh më saktësisht procesin e punës?
“Punoja tek reparti që lanim predhat e çmontuara. Kishim dy govata, njërën me naftë e tjetrën me ujë. Fillimisht i kalonim në naftë e pastaj në ujë”.
-Po pastrimi me naftë për se shërbente?
“Në naftë i fusnim pjesët e çmontuara që t’u hiqnim grason. Pasi predhat kalonin në disa procese të tjera, të cilat unë nuk i di me saktësi t’ua shpjegoj, vinin tek reparti ynë. Pasi bënim pastrimin me naftë, ne i shpëlanim më pas me ujë.
-Sa veta punonin tek larja e predhave?
“Tek larja e predhave punonin 17-18 vetë. Aty punoja së bashku me Shqipen, që kishte tre muaj punë aty, dhe kisha edhe kunatën tjetër”.
-Kishit ndonjë normë se sa duhet të lanit brenda ditës?
“Na kishin urdhër që ta pastronim më tepër se 1000 copë në ditë. Ta kalonim shifrën 1000”.
-Edhe paga në bazë të normës ishte?
“Paguhesha 10 mijë lekë të vjetra dita e punës. Por përderisa urdhri na ishte dhënë që të kalonim atë shifër, atëherë....”
-Po kontratë pune kishe nënshkruar?
“Jo”.
-Thatë që një pjesë e procesit ishte i lidhur me pastrimin me naftë. Mjete pune kishit, ose doreza?
“Absolutisht jo. I fusnim duart deri në bërryla në naftë dhe doreza nuk na kishin dhënë. Punëtorët aty i blinin nga xhepi i tyre, për të mbrojtur veten”.
-Disa dëshmi të punëtorëve kanë treguar që shumica e grave i merrnin fundjavave fëmijët me vete për t’i ndihmuar. Juve dini ndonjë rast?
“Kishte plot gra që të shtunave rrinin në shtëpi për t’u marrë me punë të ndryshme dhe për të mos humbur ditën, çonin fëmijët për t’i zëvendësuar”.
-Po ju e keni bërë ndonjëherë këtë gjë?
“Jo, asnjëherë. Unë po rris dy djem jetimë dhe s’do e bëja kurrë këtë gjë. Punoja për të blerë një thes miell”.
-Po ditën e shpërthimit ku ishit?
“Kam qenë në fabrikë. Ishte momenti i drekës dhe po lanim duart me naftë, që të bëheshim gati për të ngrënë. Pasi kemi dëgjuar dhe ndjerë shpërthimin, së bashku me kunatën tjetër kemi ikur nga sytë këmbët. Kemi arritur të dalim nga fabrika nga dalja tjetër. Kishte një dalje nga ana e malit”.
-Po për Shqipen kur mësuat që nuk gjendej?
“Më ka lajmëruar vëllai, burri i Shqipes. Pas shpërthimit, mua më çuan në Durrës, kunatën tjetër në Fushë-Krujë. Ndërsa për Shqipen nuk dimë akoma asgjë.....”