E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrolli i makinave, privat

Sokol Olldashi

Ministria e Transporteve tha se ka nisur proceduren e dhenies me koncension te sherbimit te kontrollit teknik te automjeteve

Ministria e Transporteve ka nisur procedurat për dhënien me koncesion të shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, ku ministria ka përfunduar dokumentacionin ligjor për dhënien me koncesion të shërbimit të kontrollit të detyrueshëm teknik të automjeteve. Ndërkaq, ato do t’i përcillen Agjencisë së Prokurimit Publik për të bërë shpalljen, që do të thotë edhe fillimin e procedurave për dhënien me koncesion të këtij shërbimi. Ministri Olldashi shpjegoi se “procedura e koncesionit do të jetë propozim i kërkuar, për një kohëzgjatje deri në 20 vjet”. Sipas Olldashit, financimi i shërbimit do të jetë nga tarifat për shërbimin e kontrollit të detyrueshëm të mjeteve rrugore dhe rimorkiove. “Objektivat e këtij koncesioni do të jenë përmirësimi i cilësisë së shërbimit ndaj shtetasve dhe subjekteve shtetërore dhe private, rritja e sigurisë së qarkullimit në rrugë, zvogëlimi i ndotjes në mjedis, rritja e eficencës së shërbimit, si dhe modernizmi i teknologjisë së shërbimit nëpërmjet vendosjes së standardeve teknologjike të larta në kontrollin e mjeteve”, tha kreu i MPPTT-së, Olldashi. Sipas tij, objektiv tjetër mbetet edhe sigurimi i një infrastrukture të besueshme për një kontroll teknik profesional, të saktë dhe të sigurt, në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian, mbi përafrimin e legjislacionit të shteteve anëtare në lidhje me përshtatshmërinë ndaj qarkullimit të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre, të ndryshuar. Ftesa do të botohet në Buletinin e Njoftimeve Publike, si dhe në shtypin ndërkombëtar dhe vendas. Të gjithë subjektet e interesuara që plotësojnë kriteret teknike për të marrë pjesë në këtë koncesion, mund të dorëzojnë dokumentacionin në ministri brenda muajit prill 2008. Në lidhje me tarifat, Olldashi sqaroi se ato do të jetë një nga kriteret e vlerësimit, pasi ne nuk mund të lëmë tarifa të palimituara. “Është bërë një kombinim shumë i mirë i disa faktorëve: i faktorit investim, faktorit teknologjik që do të përdoret, por edhe i tarifës së aplikueshme. Edhe me tarifat që janë aktualisht dhe që janë të përballueshme nga qytetarët, sektori i kontrollit teknik të automjeteve ka një të ardhur, pra ka një fitim. Sigurisht që kjo e ardhur do të mbetet në vlerësimin e ofertuesve, nëse kjo e ardhur është e mjaftueshme për të mbuluar gjithë investimet që kërkohen për të përmirësuar teknologjinë e kontrollit”, shpjegoi Olldashi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›