Bode:Jam pro amnistisë fiskale

Kreu i financave e cileson të domosdoshme një ndërmarrje të tillë duke i dhënë frymëmarrje biznesit
TIRANË- Të gjitha të ardhurat e padeklaruara të bizneseve së shpejti do të futen në treg. Ministri i Financave, Ridvan Bode, konfirmoi dje nismën e qeverisë për ndërmarrjen e një amnistie fiskale e në shërbim të biznesit e cila sipas tij do të krijonte një klimë më të favorshme për zhvillimin e mëtejshëm të vendit. Bode pranoi nisjen e negociatave me grupet e interesit duke theksuar se tashmë është momenti i duhur për kryerjen e kësaj reforme duke marrë parasysh nivelin në rritje të informalizimit të ekonomisë. "Është e vërtetë që ka një kërkesë për amnistinë fiskale nga bizneset kemi pasur një kotakt të parë informal për të dëgjuar versionet e tyre në lidhje me këtë masë. Kryerja e aministisë fiskale është një masë e domosdoshme që kushtëzohet nga shumë elementë. Jo vetëm nga fakti që gjatë periudhës së tranzicionit shqipëria nuk ka bërë ndonjëherë amnisti fiskale, por kjo reforme vjen pikërisht në momentin e duhur. Administrimi i tatimeve dhe taksave është në nivelin më të lartë historik që ka pasur vendi, gjithashtu modernizimi i sistemit tatimor për vitin 2010 do të konkludohet së shpejti. Pra informatizimi i sistemit është në fazën përfundimtare", - tha Bode.
Krahas masave të marra në sistemin tatimor, marrja e një mase të tillë është plotësisht e mundshme sipas Bodes duke marrë parasysh edhe miratimin e ligjit "Për goditjen dhe parandalimin e krimit të organizuar". "Besoj se me miratimin e këtij ligji, është krijuar konturi i përgjithshëm për të kryer një reforme të tillë duke relaksuar biznesin. Amnistia do të jetë në favor të biznesit dhe jo të kriminalitetit", - theksoi ai.
Krahas avantazheve që i krijon biznesit kryerja e një amnistie fiskale, do të përkthehej me një lumë të adhurash edhe për buxhetin e shtetit. Disa javë më pare, qeveria lejoi përdorimin e parave të padeklaruara për shtim kapitalin nga bizneset duke i taksuar ato me 10 për qind. Gjithashtu, grupet e interesit kanë propozuar kryerjen e aministisë fiskale duke i lejuar bizneseve përdorimin e parave dhe aseteve të padeklaruara kundrejt taksimit të tyre.